Lidhje

Uraganët, gjithnjë e më të fuqishëm


Piku i sezonit të uraganëve mbi Atlantik sapo ka kaluar ndërsa numri i cikloneve tropikale ka arritur që tani vlera mbi mesataren. Stuhia e fundit e fuqishme që goditi tokën ishte uragani Ajk i cili la mijëra njerëz pa energji elektrike dhe përkohësisht pa strehë. Situata u përkeqësua në Karaibe veçanërisht në Haiti, vend i cili sivjet u shkatërrua nga një seri stuhish. Një seri studimesh tregojnë se fuqia e uraganëve po shtohet dhe ngrohja globale mund të jetë shkak për këtë.

Kur uragani Ajk goditi brigjet e Teksasit, ekspertët e quajtën atë një përbindësh. Ai ishte uragani i tretë më i fuqishëm që preku sivjet pellgun e Atlantikut.

Shkencëtarë të Universitetit Shtetëror të Floridës dhe të Universitetit të Uiskonsinit njoftojnë në revistën shkencore “Nature” se stuhitë më të fuqishme tropikale po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha.

Ata kanë analizuar të dhëna satelitore të 15 viteve të fundit si dhe të dhëna të tjera nga gati 200 stuhi tropikale.

Një studim tjetër i tre viteve më parë zbuloi se numri i uraganëve me fuqinë më të lartë gati ishte dyfishuar. Autorja Xhudit Këri në Institutin e Teknologjisë së Xhorxhias thotë se rritja e fuqisë së stuhive lidhet me temperatura më të larta të sipërfaqes së detit të cilat, sipas saj, krijohen pjesërisht nga ngrohja globale e shkaktuar nga njerëzit.

"Shkak për këtë është fuqia më e madhe e stuhive, shpejtësia më e madhe e erës, uraganë të kategorive 4 dhe 5. Besoj se gjatë 25 vjetëve të ardhshëm do të shohim stuhi të papara mbi Oqeanin Atlantik.”

Jo çdokush mendon kështu por zbulimet shkencore po e bëjnë akoma më të fortë debatin mbi ngrohjen globale.


Xhef Halverson i universitetit të Merilandit thotë se ka mundësi që ngrohja globale të jetë shkaktare e stuhive por vërtetimi i kësaj teze ka qënë i vështirë deri tani.

"Uji i nxehtë është shkaktari i vërtetë i uraganëve. Uji avullon. Avulli kondensohet, lëshon nxehtësinë dhe kjo shkakton energjinë nga oqeani në atmosferë. Sa më i nxehtë të jetë uji, aq më shumë avull do të ketë, dhe aq më të forta do të jenë stuhitë, pasi avulli u jep fuqi atyre.”

Zoti Kris Lendsi punon në Qendrën Kombëtare të Uraganëve. Sipas tij ngrohja globale ka një ndikim tepër të vogël mbi uraganët.

Ai thotë se rritja e forcës së stuhive vjen si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe cikleve natyrore të motit. Zoti Halverson nga ana e tij thotë se edhe ai është dakord me tezën e ciklit natyror, por shton se studimi i ri ka vlerat e veta.

"Këto janë të dhënat shkencore më të mira që kemi pasur ndonjëherë dhe duket se ka një prirje në rritje përsa i përket fuqisë së stuhive të cilat mund të shkaktohen nga ngrohja globale."

Shkaqet e vërteta të këtij fenomeni mbeten për t’u gjetur. Megjithatë punimet shkencore tregojnë qartë se në vitet e ardhshme shpejtësia e erërave do të rritet më tej tek stuhitë e fuqishme tropikale. //rd//

XS
SM
MD
LG