Lidhje

Bush: Do të vazhdojmë përpjekjet për stabilizimin e tregjeve financiare


Presidenti Bush thotë se Uashingtoni do të vazhdojë të marrë masa për stabilizimin e tregjeve financiare të tronditura nga frika e një krize globale financiare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns njofton se bankat kryesore qendrore të botës po bashkojnë forcat duke shpresuar se do të rikthejnë besimin e investitorëve.

Presidenti Bush anuloi të mërkurën pjesëmarrjen në disa aktivitete politike për mbledhje fondesh, duke qëndruar në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me këshilltarët e tij ekonomikë.

“Populli amerikan është i shqetësuar për situatën në tregjet financiare dhe ekonominë tonë dhe unë ndaj shqetësimin me ta”, tha presidenti.

Qeveria amerikane ka marrë nën kontroll agjencitë më të mëdha të kredive për strehimin. Po ashtu ajo ndërhyri për të shpëtuar firmën e sigurimeve AIG, falimentimi i së cilës, tha Presidenti Bush, mund të kishte shkaktuar një dëmtim të jashtëzakonshëm të tregjeve financiare dhe të kishte rrezikuar edhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Masat energjike të qeverisë gjatë javës së kaluar i kanë lënë ligjvënësit prapa. Sekretari i Thesarit Henry Paulson e informoi Kongresin për huanë prej 85 miliardë dollarësh për AIG-në, vetëm pasi marrëveshja u arrit.

Përdorimi i parave të taksapaguesve për të shpëtuar firmat që rrezikojnë falimentimin është rruga më e drejtpërdrejtë, por jo e vetmja, që ka qeveria për të ndërhyrë në kriza ekonomike. Presidenti Bush arriti ta bindte Kongresin që të binte dakord për një paketë stimujsh ekonomikë, duke u kthyer konsumatorëve një pjesë të taksave.


Presidentët e ushtrojnë ndikimin e tyre mbi tregjet përmes politikave rregullatore dhe me mënyrat që ndjekin për të shpenzuar fondet publike, ndërsa sasia e ndihmës që jepet nga buxheti për kërkime dhe zhvillim në korporata, për shembull, ose i inkurajon, ose i shkurajon bizneset për të bërë investime të ngjashme.

Presidentët kanë ndikim tek ekonomitë dhe përmes politikave publike. Presidenti Bush thotë se Kongresi mund ta ndihmojë ekonominë duke miratuar marrëveshje për tregëtinë e lirë me Kolumbinë, Panamanë dhe Korenë e Jugut për të ndihmuar bizneset amerikane që të shesin më shumë mallra në vende të tjera. Ai do gjithashtu të shtojë shpimin për naftë në det, gjë që ai thotë se do të reduktojë koston e energjisë.

Presidentët nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek politikat monetare sepse Rezerva Federale, siç njihet këtu banka qenrore, është njësi e pavarur. Së bashku me banka të tjera qëndrore në vende të tjera, edhe ajo amerikane ka derdhur qindra miliarda dollarë në tregjet globale financiare duke shpresuar që të rikthehet besimi i investitorëve dhe të inkurajohen bankat që t’i japin hua njëra-tjetrës.

Presidenti Bush thotë se ky është një hap i rëndësishëm për të shtuar sasinë e parave në sistemin financiar amerikan.

“Këto veprime janë të nevojshme dhe të rëndësishme dhe tregjet po përshtaten me to. Tregjet tona vazhdojnë të përballen me sfida serioze. Siç kuptohet edhe nga masat tona të fundit, admnistrata ime është e vendosur t’i kapërcejë këto kriza. Populli amerikan duhet të jetë i sigurt se ne do të vazhdojmë të veprojmë për të forcuar dhe stabilizuar tregjet financiare dhe për të përmirësuar besimin e investitorëve”.

Ekomomia amerikane është dobësuar për shkak të rënies së vlerës së shtëpive dhe kostoja e lartë e energjisë dhe ushqimit. Një anketë e kësaj jave e televizionit CBS dhe gazetës Nju Jork Tajms arrinte në përfundimin se ekonomia dhe vendet e punës janë çështjet e mëdha që shqetësojnë afro gjysmën e votuesve amerikanë para zgjedhjeve të nëntorit. //rd//


XS
SM
MD
LG