Lidhje

SHBA: Diskutohet plani Polson për daljen nga kriza financiare


Ligjvënësit amerikanë po punojnë me zyrtarët e administratës për të përfunduar hollësitë e një plani për nxjerrjen e vendit nga kriza më e rëndë financiare. Udhëheqësit e Kongresit thanë dje se plani parashikon blerjen e huave të papaguara nga institucionet me probleme serioze financiare, me një kosto kjo prej miliarda dollarësh. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, na informon nga Kongresi se ligjvënësit dhe administrata po punojnë intensivisht për të përfunduar paketën e shpëtimit të financave.

Udhëheqësit e Kongresit nga të dy partitë po trajtojnë atë që Sekretari amerikan i Thesarit e quan propozim tepër të gjerë legjislativ për të stabilizuar tregjet financiare dhe në të njejtën kohë për të mbrojtur amerikanët nga një rënie e theksuar ekonomike.

Ashtu siç është shpjeguar nga Sekretari Polson, plani parashikon miliarda dollarë për të blerë huatë e dhëna nga kompanitë që tani janë përballë falimentimit pasi huamarrësit nuk janë në gjendje të ripaguajnë borxhin.

Kryetari i komisionit të Senatit për sistemin bankar, Kristofor Dad, bëri këto kemente për gazetarët:

"Ky do të jetë një plan i vështirë. Ne jemi informuar se do të jetë i kushtueshëm, por nuk e dimë ende koston e tij reale".


Senatori Dad dhe kongresisti Bërni Frenk i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Financat, sëbashku me kryetarë të komisioneve të tjera dhe me vetë Kryetaren e Dhomë së Përfaqësuesve, Nenci Pelosi, po këshillohen me Sekretarin Polson, Kryetarin e Rezervave Federale, Ben Bernanke, dhe të tjerë gjatë kësaj fundjave.

Në një konferencë shtypi që dha në Shtëpinë e Bardhë dje, duke patur në krah zyrtarët më të lartë të financave të vendit, Paulson, Bernanke, dhe Kryetarin e Komisionit të Bursës, Kristofor Koks, Presidenti Bush theksoi si asnjëherë më parë, se është i domosdoshëm dhe urgjent bashkëpunimi mes dy partive për miratimin e planit.

"Nuk është koha për politika partiake. Ne duhet të veprojmë të bashkuar për të miratuar sa më parë ligin për t'i nxjerrë financat nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhen".


Ndërkohë, në fjalimet e tij në kuadër të fushatës, kandidati demokrat për president, Barak Obama, bëri thirrje për një veprim të përbashkët nga të dy partitë.

"Për mendimin tim, është me shumë rëndësi në këto momente, që tregjet dhe publiku të kenë besim se udhëheqësit e të dy partive do të punojnë sëbashku për të zgjidhur problemin që kanë përpara".


Edhe kandidati republikan për president, Senatori Xhon Mekein, foli për këtë çështje gjatë një mitingu në kuadrin e fushatës së tij.

"Amerikanët duan të dinë se si do ta zgjidhë qeveria këtë krizë. Është e vështirë të dalin përgjegje të qarta nga Uashingtoni".

Por një gjë është e qartë, ka mundësi që Kongresi të vazhdojë sesionin e punimeve edhe pas 26 shtatorit, që është data e mbylljes së tij, ndryshe nga çdo të dëshironin demokratët, për t'u përqendruar në fushatën zgjedhore.

Udhëheqësit demokratë synojnë gjithashtu të paraqesin ligje për stimulimin e ekonomisë dhe një ligj që qeveria të vazhdojë punën kur të fillojë viti i ri financiar më një tetor. //iç//

XS
SM
MD
LG