Lidhje

SHBA:  Administrata i kërkon Kongresit 700 miliard dollarë për të nxjerrë financat nga kriza


Çmimet e aksioneve në bursat e Azisë u ngritën sot në mbështetje të kërkesës së administratës Bush drejtuar Kongresit për një plan prej 700 miliard dollarësh për të nxjerrë financat nga kriza.

Indekset e bursës në Japoni, në Shangai, Sidnei, Uellington dhe Taivan, u ngritën nga 1 deri në 5,5 përqind në fillim të shkëmbimeve sot, si rezultat i lajmit për ndërhyrjen qeveritare në Shtetet e Bashkuara, duke ringjallur kështu besimin e investitorëve në tregjet financiare ndërkombëtare.

Ndërhyrja e qeverisë për të shpëtuar bankat nga falimentimi me paratë e taksapaguesve nuk kanë qënë asnjëherë popullore në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht kur është fjala që kjo u kushton atyre më shumë se 2 mijë dollarë për frymë. Por Sekretari amerikan i Thesarit, Henri Polson, u paraqit në disa programe televizive amerikane dje, duke thënë se mungesa e veprimit do të sjellë një katastrofë ekonomike.

Zoti Polson tha në programin "Fox News Sunday", se kostoja përfundimtare e planit ka të ngjarë të jetë më e ulët nga sa u duk në fillim.

"Ky është një program nëpërmjet të cilit qeveria do të blejë pasuri të palikujtueshme, t'i mbajë ato dhe t'i shesë më vonë. Eventualisht fondet do të kthehen përsëri në thesarin amerikan. Kostoja do të përcaktohet nga shpejtësia e mëkëmbjes ekonomike dhe sa shpejt do të stabilizohen çmimet e shtëpive. Nuk më pëlqen në fakt ky veprim, por na duhet ta bëjmë. Por kjo është alternativa më e mirë".

Javët e fundit, amerikanët kanë parë se si kanë rënë, janë blerë apo marrë nën kontrollin e qeverisë, njëra pas tjertës firma të mirënjohura amerikane.

Kriza u shkak tua nga miliona hua të dhëna vitet e fundit për njerëz me të ardhura të ulta dhe histori jo të mirë krediti, në rezultuan në mospagimin e tyre dhe rrjedhimisht në marrjen e shtëpive nga bankat huadhënëse, por që kto të fundit nuk kanë qënë në gjendje t'i shesin.

Javën e kaluar, Presidenti Bush propozoi një zgjidhje të pashembullt në historinë e financave amerikane, krijimin e një fondi të madh qeveritar për të blerë kreditë e papaguara dhe eventualisht për të shitur pasuritë që kanë lidhje me to.

Tani shtrohet çështja se çfarë do të bëjë Kongresi disa javë pra zgjedhjeve të përgjithëshme.

Senatori demokrat, Kristofor Dod, i cili kryeson Komisonin e Senatit për Bankat, foli për këtë në progamin "This Week" të kanalit televiziv ABC.

"Njerëzit kanë shumë ide për çfarë duhet bërë. Ne duhet t'i japim Sekretarit të Thesarit autoritetin për të vepruar. Këto janë çështje të vështira. Për mendimin tim ne nuk duhet ta mikromenaxhojmë këtë proces. Besoj se e gjithë kjo erdhi si rezultat i praktikave të këqia të huadhënies. Humbja e shtëpive është një problem ende i pranishëm".

Pas disa ditë humbjesh të ndjeshme, bursa amerikane shënoi rritje të ndjeshme të enjten dhe të premten, si rezultat i lajmeve për një ndërhyrje të mundëshme të qeverisë. //iç//

XS
SM
MD
LG