Lidhje

Shtresat e akullit në Groenlandë


Territori danez i Groenlandës është një zonë arktike që shtrihet pranë bregut verilindor të Kanadasë. Ishulli pak i populluar, është i mbuluar në pjesën më të madhe nga shtesa masive akulli. Por rritja e temperaturave arktike që lidhet me çlirimin e gazit karbonik, po çon në shkrirjen e akullit. Sipas një ankete të fundit, zona pa akull e Groenlandës është shtuar në masën 16 përqind nga viti 1979 deri në vitin 2002. Një studim i ri tregon se një vështrim më i kujdesshëm në të kaluarën e Groenlandës mund të na ndihmojë të parashikojmë të ardhmen.

Dan Lunt është shkencëtar që merret me historinë e klimës. Pra ai studion historinë e tokës për të kuptuar sesi funksionon klima në planetin tonë. Një studim i fundit i dha atij idenë të pyeste jo përse po shkrijnë shtresat e akullit në Groenlandë, por pikë së pari, si u krijua gjithë ai akull atje? 56 apo 40 milionë vjet më parë thotë Lunt, Groenlanda ishte një vend ndryshe nga ç’është sot.

"Duke krahasuar lartësi të ngjashme me këto të ditëve tona dhe nga disa studime model, mund të themi se ka shumë të ngjarë që aty të ketë patur tokë të zbrazët dhe zona të zhveshura, por ka gjithashtu shumë të ngjarë që të ketë patur zona të mbuluara me bar dhe ndoshta me pyje".

Lunt thotë se historia e lashtë e Groenlandës u fshi nga akullnajat – lumenjtë me lëvizje të ngadalta të akujve. Duke marrë me vete shkëmbinj dhe mbetje të tjera, akullnajat e Groenlandës mbërritën më në fund në brigje ku çuan ajzbergë të mëdhenj dhe mbetjet e akumuluara, në det.

"Ajo që mund të bëjmë tani është të shkojmë në disa prej këtyre vendeve në Atlantikun e Veriut përreth Groenlandës të gërmojmë dhe të nxjerrim sedimentet nga fundi i oqeanit, dhe do të shohim se gati tre milion vjet më parë ka patur një rritje të madhe të sasisë së shkëmbinjëve të vegjël dhe mbetjeve që mendojmë se janë depozituar aty nga ajsbergët".

Zoti Lunt dhe kolegët e tij në Universitetin Bristol të Anglisë përdorën modele kompjuterike të klimës dhe shtresave të akullit për të analizuar katër teori të njohura dhe për të shpjeguar arësyen e formimit të shtresave të akullit. Hipotezat variojnë nga ndryshimet në qarkullimin e oqeanit, ose rritja e lartësisë së Maleve Roki në Amerikën e Veriut, deri tek ndryshimet në orbitën e tokës apo ndryshimet natyrore në atmosferë si pasojë e përqëndrimit të gazeve që shkaktojë efektin serë.

"Testuam të katërta teoritë dhe arritëm në përfundimin se dioksidi i karbonit ishte faktori më i rëndësishëm. Në disa nga simulimet që studiam, dioksidi i karbonit ishte i vetmi nga këto katër teori që ishte në gjendje të shkaktonte një rritje të madhe të sasisë së akullit".

Zoti Lunt thotë se niveli i CO2-shit sot në atmosferë po arrin me shpejtësi nivelin e këtij gazi kur Groenlanda ishte pa akull.

"Por nuk mund të themi se kur i afrohemi këtij niveli shtresa e akujve në Groenlandë do të zhduket menjëherë pasi shtresat e akullit nuk funksionojnë në mënyrë lineare. Në se rrit nivelin e dioksidit të karbonit në një masë të caktuar, jo patjetër marrim të njëjtën rezultat sikur ta pakësonim atë me të njëjtën masë".

Studimi i ri u publikua në revistën britanike Nature. Puna kërkimore u krye përmes financimeve nga Këshilli Britanik për Kërkimet dhe Anketat. //rd//

XS
SM
MD
LG