Lidhje

Presidenti Bush takohet në Shtëpinë e Bardhë me Senatorët Obama dhe Mekein


Presidenti Bush do të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me kandidatët presidencialë, demokratin Barak Obama dhe republikanin Xhon Mekein për të diskutuar planin e presidentit prej 700 miliardë dollarësh, i cili synon të shpëtojë sektorin e trazuar financiar të Shteteve të Bashkuara.

Dy rivalët presidencialë kanë bërë tashmë një deklaratë të përbashkët, duke e cilësuar planin “të mangët”, por edhe duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak për të shmangur një katastrofë ekonomike për të mirën e vendit.

Në takimin e Shtëpisë së Bardhë do të marrin pjesë edhe udhëheqës të Kongresit.

Gjatë fjalimit që mbajti mbrëmë në televizion, presidenti Bush u bëri thirrje ligjvënësve që ta miratojnë projekt-ligjin, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, e gjithë ekonomia amerikane përballet me një rënie ekonomike të gjatë dhe të dhimbshme.

Propozimi i presidentit Bush do të bënte të mundur që qeveria të blejë huatë e pashlyera prej rreth 700 miliardë dollarësh, që kanë tani institucionet e mëdha financiare. Këto investime të pamatura kanë bërë që bankat të ngurojnë të japin borxhe, ndërkohë që mungesa e dhënies së kredive kërcënon rëndë ekonominë.

Presidenti tha se pa miratimin e planit të tij, aksionet dhe vlerat e shtëpive do të bien edhe më shumë, falimentimi i pronarëve të shtëpive do të ngrihet, më shumë biznese do të mbyllen dhe miliona amerikanë do të humbisnin vendet e punës. (ze)

XS
SM
MD
LG