Lidhje

Aktivistë nga Ballkani në Kongresin amerikan


Megjithë krizën financiare që po trondit Shtetet e Bashkuara, disa anëtarë të Kongresit amerikan gjetën kohën të presin ditën e mërkurë një grup prej 6 aktivistësh të shoqërisë civile nga Ballkani. Ata janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi; ndodhen këtu për dy javë dhe shpresojnë të mësojnë se si funksionon shoqëria amerikane në disa aspekte të rëndësishme të saj.

Programi administrohet nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe quhet Hope – Shpresa. Është shpresa që këta aktivistë pasi të kthehen në vendet e tyre të mund të zbatojnë atje njohuri që kanë marrë në Shtetet e Bashkuara – si funksionojnë bashkitë, administratat lokale, policia, zjarrfikësat, arsimi e deri te Kongresi.

"Kur pjesmarrësit e programit vijnë ne Uashington, ata shikojnë se si funksion Kongresi, shikojnë demokracinë në veprim. Kur kthehen në Kosovë ata ndihmojnë për të forcuar demokracinë atje," thotë anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel.

Për këtë qëllim, secili prej tyre shoqëroi dje gjatë gjithë ditës një anëtar të Kongresit.

"Pata rastin të jem në shoqërinë e kongresmenit Xhon Bozman, i cili ishte nje kongresmen shume dinamik, shume energjik, shume i suksesshëm." - thotë aktivisti Kosum Kosumi

"Kisha kënaqësinë e madhe të isha gjithë ditën në shoqërinë e kongresmenit Erl Pomeroi, i cili është mbështëtës i madh i Kosovës. Isha në dy votime të tij për dy ligje të ndryshme. pata gjithashtu kënaqësinë të vizitoj Kapitol Hillin dhe të shikoj kupolën e tij të cilin jo shumë njerëz kanë fatin ta shikojnë." - thotë Floriana Bajrami Rexha

Edhe për anëtarët e Kongresit është kënaqësi të bisedojnë me të ardhurit nga Ballkani dhe të japin vlerësimet e tyre. Kongresmeni Erl Pomeroi nga Dakota e Veriut, shpreh kënaqësinë që, sipas vëzhgimeve të tij, shteti i ri i Kosovës nuk ka treguar asnjë shenjë largimi nga plani Ahtisari.

"Kosova, në këtë periudhë të fillimit, ka treguar se është gati të bëhet një shtet i pavarur megjithë sfidat që ka patur përpara." - thotë ai

Aktivistët nga Ballkani erdhën në Kongres ndërkohë që ligjvënësit janë mjaft të zënë me krizën financiare. Kongresmeni Pomeroi thotë se ky ishte një rast i mirë për të reflektuar:

"Edhe demokraci të pjekura si SHBA, edhe vende të pasura si SHBA kanë probleme. Ato janë të pashmangëshme. Çështja nuk shtrohet nëse ke apo jo probleme por si i zgjidh këto probleme dhe kjo e dallon një vend nga të tjerët." - thotë kongresmeni Pomeroi

Përsa i përket Kosovës, thotë ai, ajo i ka përballuar mjaft mirë problemet e saj. //mm//

XS
SM
MD
LG