Lidhje

Presidenti Bush premton marrëveshje për planin financiar - negociatat vazhdojnë


Presidenti Xhorxh Bush ka shprehur besimin se demokratët dhe republikanët do të mbërrijnë një marrëveshje për planin në ndihmë të sektorit financiar.

Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni sot, Presidenti Bush pohoi se ende ka mospajtime. Por ai tha se nuk ka mosmarrëveshje lidhur me nevojën për të bërë diçka në përgjigje të kësaj situate.

Sot, udhëheqësi i demokratëve në Senat Harry Reid tha se bisedimet do të vazhdojnë deri sa të gjendet një marrëveshje.


Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Dana Perino tha se Presidenti ka angazhuar zyrtarët më të lartë të ekonomisë për të vazhduar bisedimet me Kongresin dhe po kontakton personalisht ligjvënës me influencë.


Negociatat u bllokuan dje kur republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve e kundërshtuan projekt-ligjin dhe parashikimet e tij që qeveria të ndërhyjë në bizneset private. Ligjvënësit propozuan një plan alternativ për zgjidhjen e problemit. Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Xhon Bejnër tha se shumë republikanë nuk do të votojnë për paketën nëse propozimi i tyre nuk merret seriozisht.

Administrata e Presidentit Bush ka paraqitur një propozim për një fond prej 700 miliardë dollarësh që synon të rikthejë besimin e investitorëve dhe drejtuesve në mënyrë që të rifillojë rritja ekonomike.

Plani për të ndihmuar sektorin financiar do t'i jepte mundësi qeverisë të blinte asete të zhvleftësuara nga firmat financiare në vështirësi. Këto investime problematike janë bërë shkak që shumë banka të ngushtojnë kreditë për bizneset dhe konsumatorët. Kjo mungesë fondesh për kredi kërcënon ta fusë ekonominë në amulli.

Deklarata e sotme e presidentit Bush, e dyta në 48 orët e fundit, për masat drastike që duhen marrë, për të përbvalluar këtë situatë të rëndë, që nga shumë analistë, është krahasuar me periudhën e depresionit, dëshmon seriozitetin e gjendjes në të cilën ndodhet ekonomia, por kryesisht sistemi financiar. Presidenti kërkoi të siguronte sot amerikanët se ligjvënësit dhe administrata do të arrijnë një marrëveshje për të nxjerrë vewndin nga kjo situatë.

"Ka mosmarrëveshje rreth aspekteve të ndryshme të planit por të gjithë jemi dakort se duhen marrë vendime të rëndësishme. Procesi legjislativ nuk është gjithmonë i këndshëm, por paketën do ta miratojmë. Republikanët dhe demokratët do të punojnë së bashku dhe do të miratojmë një plan thelbësor", tha presidenti Bush.

Presidenti foli ndërsa ligjvënësit dhe zyrtarët e administratës vazhdojnë për të dytën ditë diskutimet rreth planit prej 700 miliarë dollarësh të ndihmës. Takimi i pazakontë që ui zhvillua dje në Shtëpinë e Bardhë ku morrën pjesë presidenti Bush dhe rivalët presidencialë Xhon Mekein dhe Barak Obama, si dhe udhëheqës të kongresit synonte të tregonte unitet në zgjidhjen e krizës financiare, por dështoi pas konflikteve për hollësitë e planit.

Kryetari i komisionit për financat në Dhomën e Përfaqësuesve Barney Frank tha pas takimit se republikanët ishin ata që nuk donin të negocionin:

"Republikanët na dhanë një copë letër që e quajnë "plani republikan" e që është një plan për siguracione që sekretari Paulson thotë se nuk do të funksiononte. Pas kësaj patëm negociata të frytshme me demokratët e republikanët e Senatit dhe demokratët e Dhomës së Përafësuesve si dhe me Sekretarin e Thesarit. Republikanët në Dhomën e Përfaqësueve refuzuan të marrin pjesë".

Sipas planit alternativ të republikanëve, qeveria duhet të krijojë një sistem të zgjeruar siguracionesh, të financuar nga bankat, që do të ndihmonte huatë individuale të shtëpive.

"Plani ynë nuk kërkon 700 miliardë dollarë të taksapaguesve për të shpëtuar Uoll Stritin. Është një plan që i lejon taksapaguesit që nuk kanë fajë në këtë mes të jenë në gjendje të dalin në pension, të kenë kursimet pa iu dashur të paguajnë kaq shtrenjtë për këtë mëkëmbje", tha ligjvënësi nga Virxhinia Eric Canton.

Dje, fushata e zotit McCain publikoi një deklaratë ku thuhet se plani i adminstratës nuk gëzon besimin e popullit amerikan pasi nuk mbron taksapaguesit dhe sakrifikon kursimet e tyre për Uoll Stritin.

Megjithatë zoti McCain mbetet optimist se do të arrihet marrëveshje.

"Mendoj se është bërë përparim i madh dhe besoj se do të arrijmë sukses. Anëtarët e Kongresit janë në dijeni të situatës së krizës në të cilën ndodhemi", tha zoti Mekein.

Pozicionimi i zotit Mekein në rolin e një udhëheqësi të gatshëm për të lënë mënjanë politikat për të ndihmuar me planin për financat u kritikua ashpër nga demokratët por edhe nga disa republikanë.

Kandidati presidencial Barack Obama fajësoi dje pas takimit në Shtëpinë e Bardhë republikanët që po e çojnë vendin në krizë.

"Demokratët në Kongres, dhe unë jemi të shqetësuar. Kjo nuk do të ndodhte me ne. Ne nuk do të ndalonim disa nga reformat regullatore që na kanë sjellë në këtë situatë", tha zoti Obama.

Pas gjashtë ditë bisedimesh intensive lidhur me paketën e propozuar nga administrata Bush, me Uoll Stritin e lëkundur dhe ndërhyrjen e politikave presidenciale, gjashtë javë para zgjedhjeve, situata duket ende e paqartë. Një gjë duket e sigurtë se plani për krizën financiare është i domosdoshëm por aspektet e këtij plani do të përdoren sigurisht nga politika për të krijuar avantazhe në prag të zgjedhjeve të nëntorit.

XS
SM
MD
LG