Lidhje

Ligjvënësit amerikanë arrijnë projekt-marrëveshje mbi planin financiar


Ligjvënësit amerikanë thonë se kanë arritur një marrëveshje të mundshme për planin e parashtruar nga administrata për të blerë deri në 700 miliardë dollarë asete nga firma financiare në vështirësi.

Udhëheqësit në Kongres dhe Sekretari i Thesarit Henri Polson e njoftuan marrëveshjen të dielën duke thënë se shpresojnë që ta njoftojnë zyrtarisht planin të dielën në mbrëmje, para se të hapen tregjet aziatike për të hënën. Pritet që plani të hidhet ditën e hënë në votë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Propozimi pritet të përfshijë kufizime në rrogat e ekzekutivëve të kompanive të shpëtuara, dhe kërkesën që qeveria të përpiqet t’i shpëtojë pronarët nga humbja e shtëpive të tyre.

Qeveria mund të marrë gjithashtu aksione nga kompanitë që kërkojnë ndihmë, duke bërë që taksapaguesit të përfitojnë më vonë nëse firmat e shpëtuara fillojnë të kenë fitime.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Toni Frejto tha se Presidenti Xhorxh Bush është i kënaqur me përparimin e bërë në këtë plan dhe se i vlerëson përpjekjet dypartiake. //mm//

XS
SM
MD
LG