Lidhje

Feith: Kërkesa e Beogradit në Gjykatën Ndërkombëtare ngadalëson procesin e shtetësisë së Kosovës


Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil për Kosovën Piter Feith thotë se kërkesa e Beogradit që pavarësia e Kosovës të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare do të ngadalësojë konsolidimin e procesit të shtetësisë së Kosovës të filluar më 17 shkurt.Zyrtari më i lartë ndërkombëtar në Kosovë shprehet nga ana tjetër optimist se Kosova nuk do të ndahet. Zoti Feith i bëri këto komente në një intervistë për kolegun Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës:Kombet e Bashkuara po shqyrtojnë kërkesën e Beogradit që për pavarësinë e Kosovës të shprehet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Çfarë ndikimi do të ketë kjo për procesin politik në Kosovë?

Piter Feith:Së pari dua të them se çdo shtet duhet të ketë të drejtë të ankohet para gjykatës dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Por nga ana tjetër, kjo kërkesë nuk ndihmon. Ajo do të ndikojë para së gjithash mbi aspiratat e Serbisë për t’u afruar me Bashkimin Evropian, shumica e vendeve të të cilit e kanë njohur pavarësinë. Së dyti, do të ndikojë disi tek përpjekjet tona për stabilitet në rajon dhe në vetë Kosovën. Kosovarët nuk e pritën mirë këtë nismë pasi ajo do të ngadalësojë konsolidimin e procesit të shtetësisë, që ata e filluan më 17 shkurt. Së treti, në një kuptim më të gjerë, rasti i Kosovës mund të përdoret për analogji edhe për kriza të tjera në botë, gjë që nuk do të pritej mirë nga vende të tjera anëtare të OKB-së.

Zëri i Amerikës:A mendoni se Bashkimi Evropian duhet t’i kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë me tërheqjen e kësaj kërkese nga Gjykata Ndërkombëtare?

Piter Feith: Jo. Bashkimi Evropian e kupton se t’i drejtohesh Gjykatës Ndërkombëtare nuk është në vetvete një gjë e keqe. Pa dyshim kjo është më mirë se të kalosh në mjete të tjera për zgjidhjen e interesave të tua. Bashkimi Evropian po shqyrton tani se si do të votojnë për këtë në Asamblenë e Përgjithshme, vendet e veçanta anëtare të tij.

Zëri i Amerikës:Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit thotë se Komuniteti Ndërkombëtar dështoi ta ndihmojë Kosovën pas pavarësisë. Mes tyre përmendet edhe roli i zyrës suaj. Në raport thuhet se zyra juaj nuk ka fuqinë që ishte parashikuar në fillim. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Piter Feith:Së pari unë nuk e kam lexuar raportin me hollësi, por mund t’u jap disa vlerësime paraprake. Përsa i përket pushtetit të Zyrës së Përfqësuesit Ndërkombëtar Civil, nëse lexon kushtetutën e Kosovës, aty ka vetëm një person, një zyrtar ndërkombëtar, që ka një përgjegjësi specifike. Asnjë institucion tjetër ndërkombëtar nuk përmendet në Kushtetutë, që të ketë autoritet ekzekutiv, të njohur nga qeveria dhe parlamenti. Pra kompetencat egzistojnë, zyra është e fuqishme, nga vetë ligjet e Kosovës. Por, situata në Kosovë është komplekse, që pas shpalljes së pavarësisë dhe rikonfigurimit të UNMIK-ut. UNMIK-u po zvogëlohet duke ia kaluar kompetencat EULEX-it që do të vendoset në përputhje me rezolutën 1244 dhe nën autoritetin e OKB-së. Roli im është specifik. Unë kam mandat, jam i njohur nga Kushtetuta për të mbikqyrur veprimet e qeverisë dhe përputhshmërinë e tyre me planin që zgjidhi çështjen e Kosovës. Askush tjetër nuk i ka këto kompetenca.

Zëri i Amerikës: Kushtetuta ju jep kompetenca të fuqishme. A ju është dashur t’i përdori ndonjëherë?

Piter Feith:Jo

Zëri i Amerikës: Përse?

Piter Feith:Pasi unë jam në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë, me ministrat. Ne diskutojmë e debatojmë, por nuk kemi patur mosmarrëveshje të pazgjidhshme deri tani. Është shumë më mirë kështu, që kemi arritur ta shmangim përdorimin e autoritetit ekzekutiv.

Zëri i Amerikës: Ndërsa në Kosovë ka sot tre institucione BE, OKB dhe Qeveria e Kosovës, sa komplekse është situata. A ka konfuzion, konflikte mes tyre?

Piter Feith:Nuk ka patur raste konflikti ose mospërputhjeje. Situata është komplekse. Shpresojmë që EULEX-i të dislokohet shumë shpejt. Objektivi është që EULEX-i të arrijë aftësinë fillestare të funksionimit në fund të nëntorit. Shpresojmë që më tej ai ta shtrijë
aktivitetin edhe në veri të Kosovës. Për këtë UNMIK-u po luan një rol të madh duke lehtësuar kontaktet me Beogradin. Pra në këtë kuptim EULEX-i dhe UNMIK-u po bashkëpunojnë nga afër duke plotësuar njeri tjetrin.

Zëri i Amerikës:Çfarë ju bën kaq optimist që EULEX-i do të arrijë të dislokohet deri në fund të nëntorit, kur deri tani ka patur kaq vonesa?

Piter Feith:Për këtë duhet pyetur zoti DeKermabo. Ai më ka siguruar se është arritur përparim i mirë dhe se objektivi do të jetë fundi i nëntorit.

Zëri i Amerikës:Ka shqetësime të shumta se Kosova është ndarë de fakto dhe se kjo ndarje po merr formë. A mendoni se është ende e mundur që Kosova të funksionojë si një shtet i vetëm?

Piter Feith:Unë e shoh ndryshe gjendjen. Unë po shoh që elementët e ndarjes, gradualisht po veniten. Mendoj se kufiri tek lumi Ibër po bëhet më i kalueshëm. Po shtohen kontaktet me banorët e veriut, me komunitetin serb. Ka më shumë kontakte mes komunitetit serb në veri të lumit me ata në jug të lumit. Pra jam i mendimit se rreziku i ndarjes gradualisht po zhduket. Serbët e Kosovës po tregohen më të interesuar për klauzolat e planit Ahtisari.

Zëri i Amerikës: A keni këtu fjalën për serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër, apo edhe për ata në veri?

Piter Feith:Për të dy palët. Mendoj se ka drejtues në komunitetin serb që do të dëshironin t’i bashkonin komunitetet dhe të krijonin një këshill të serbëve të Kosovës, që do të përfaqësonte gjithë komunitetin në veri e jug.

Zëri i Amerikës:A mendoni se serbët në Kosovë do ta njohin zyrën tuaj së shpejti?

Piter Feith:Së paku kontaktet do të shtohen. Ne po zhvillojmë diskutime të rëndësishme me një sërë udhëheqësish serbë, të cilët janë të gatshëm të shyrtojnë se cilat do të jenë klauzat për autonomi, për vetë-qeverisje lokale, për komunitetin e tyre. Dua të shtoj se ne nuk po flasim vetëm me komunitetin serb, por edhe me pakicat e tjera.

Zëri i Amerikës:Cili është mendimi juaj për qeverinë e Kosovës? A po e mbush ajo hendekun e krijuar në Kosovë nga bashkëekzistenca e gjithë këtyre institucioneve ndërkombëtare?

Piter Feith: Mendoj se qeveria ka ecur me shumë shpejtësi dhe aftësi që pas shpalljes së pavarësisë. Kushtetuta u miratua, janë miratuar mbi 40 ligje të rëndësishme. Qeveria ka filluar një program të rëndësishëm decentralizimi, që është një alternativë ndaj institucioneve paralele që favorizon Beogradi. Unë jam i kënaqur me vendimet e marra nga qeveria dhe shpresoj që do të vazhdojmë në këtë frymë.

Zëri i Amerikës:Sa kohë mendoni se do të qëndrojë komuniteti ndërkombëtar në Kosovë? Zyra juaj dhe zyrat e tjera?

Piter Feith:Nuk dua të ve një afat kohor, por kam thënë më parë se OKB-ja po largohet, Zyra e Përfaqësuesit Civil po ashtu duhet të mbyllet kur plani i përgjithshëm të jetë zbatuar. Të fundit që duhet të largohen duhet të jenë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për vetë aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në B.E. Pra për një farë kohe do të ketë nevojë për përfaqësues të B.E. në Prishtinë për të ndihmuar në këtë proces.

XS
SM
MD
LG