Lidhje

SHBA: Senati do të votojë sot rreth planit të shpëtimit financiar


Senati amerikan do të votojë sot rreth një varianti të rishikuar të planit të shpëtimit financiar prej 700 miliar dollarësh që u hodh poshtë nga Dhoma e Përfaqësuesve të hënën. Dy kandidatët kryesorë për president, republikani Xhon Mekein dhe demokrati Barak Obama, si dhe kandidati demokrat për nënpresident, Xho Bajden pritet të jenë sot në Uashington për të hedhur votën.

Plani përfshin një klauzolë për rritjen e kufirit të depozitave bankare që garantohen nga qeveria federale, nga 100 mijë dollarë që është aktualisht në 250 mijë.

Senatorët Obama dhe Mekein janë shprehur për rritjen e këtij kufiri.

Dje, agjencia që merret me garantimin e depozitave bankare i kërkoi Kongresit që ajo të ketë përkohësisht të drejtën për ta rritur kufirin për të shmangur “një krizë besimi”. Megjithatë, Korporata Federale për Sigurimin e Depozitave nuk ka përmendur konkretisht se deri në çfarë shume kërkonte që ky kufi të rritej.

Senatorët Obama dhe Mekein biseduan dje me Presidentin Bush rreth ideve të tyre për rimëkëmbjen e ekonomisë. Po dje, Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të veprojë pa vonesë për të miratuar planin e shpëtimit financiar. Dhoma e Përfaqësuesve është në një periudhë pushimi por anëtarët e saj pritet të kthehen nesër.//ii

XS
SM
MD
LG