Lidhje

SHBA: Marrëveshja e tregtisë bërthamore me Indinë


Kongresi amerikan miratoi një marrëveshje historike për t'i dhënë fund ndalimit 34-vjeçar të tregëtisë së energjisë bërthamore për përdorim civil mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë. Votimi, i cili u bë katër ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi paktin, i jep presidentit Bush një fitore të rëndësishme në politikën e jashtme gjatë muajve të fundit në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Debora Tejt njofton nga Kongresi.

Marrëveshja i ofron Indisë qasje në teknologjinë civile bërthamore të Shteteve të Bashkuara, megjithëse ajo nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe ka kryer dy teste të tilla në vitin 1974 dhe 1998. Si shkëmbim, India ka pranuar t'i hapë uzinat bërthamore jo-ushtarake për inspektim nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.

Përkrahësit thonë se marrëveshja, e cila do ta ndihmojë Indinë të përmbushë nevojat e saj energjitike dhe do të rrisë biznesin e kompanive amerikane, vulos një partneritet strategjik mes demokracisë më të madhe në botë dhe një fuqie ekonomike në rritje.

Senatori Kris Dod, demokrat nga shteti Konetikat, udhëhoqi debatin rreth marrëveshjes në Kongres.

"Projektligji bën që Shtetet e Bashkuara dhe India të shtrojnë një rrugë të re në marrëdhëniet mes dy demokracive tona. Ka arsye të rëndësishme gjeopolitike për ta çuar këtë marrëdhënie përpara. India është bërë faktor i rëndësishëm në botë".

Komentet u mbështetën nga senatori Riçard Lugar, republikan nga Indiana.

"Kjo është një ndër nismat më të rëndësishme strategjike dhe diplomatike të ndërmarra gjatë dekadës së fundit. Me miratimin e këtij pakti, Shtetet e Bashkuara kanë përqafuar një pikëpamje afatgjatë që do të na japë mundësi të reja diplomatike për përmirësimin e stabilitetit global".

Por kritikët thonë se marrëveshja minon përpjekjet për mospërhapjen e armëve bërthamore. Ata thonë se karburanti shtesë që sigurohet nga marrëveshja mund ta rrisë arsenalin bërthamor të Indisë duke bërë që uraniumi i prodhuar në vend të përdoret për armë.

Senatori Bajron Dorgan është demokrat nga Dakota e Veriut.

"Projektligji që kemi përpara me siguri që do të rrisë prodhimin e armëve bërthamore në Indi".

Kundërshtarët thonë gjithashtu se marrëveshja minon përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ndërprerë programin bërthamor të Iranit, dhe mund t'i japë shkas një gare globale armatimesh.

Senatori Xhef Bingaman është demokrat nga Nju Meksiko.

"Në kushtet kur India nuk e ka nënshkruar traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore, ne jo vetëm që po i dërgojmë mesazhin e gabuar Iranit, i cili e ka nënshkruar këtë traktat dhe që dëshiron të ketë programin e vet bërthamor, por ne po i dërgojmë një mesazh të gabuar edhe Koresë së Veriut, Pakistanit, Izraelit, të tre këtyre vendeve që nuk janë nënshkrues të traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe që kanë kryer prova me këto lloj armësh".

Një amendament i cili do t'u kërkonte Shteteve të Bashkuara t'i jepnin fund marrëveshjes me Indinë nëse Nju Delhi do të bënte prova të tjera bërthamore u hodh poshtë me anë të votave. Përkrahësit e marrëveshjes thanë se amendamenti ishte i panevojshëm, duke shtuar se tregëtia bërthamore do të ndalohej me siguri në rrethana të tilla. //iç//

XS
SM
MD
LG