Lidhje

Në pritje të debatit Bajden-Pejlin, komente të  analistëve


Debati që ndoshta pritet më me padurim gjatë fushatës zgjedhore do të zhvillohet sot në Seint Luis të shtetit Mizuri. Dy kandidatët për nënpresident, republikania Sara Pejlin dhe demokrati Xho Bajden do të marrin pjesë në debatin e tyre të parë dhe të vetëm. Është një provë kritike për të dy kandidatët, por sidomos për guvernatoren e Alaskës Sara Pejlin, e cila sapo ka hyrë në skenën kombëtare të politikës.

Debati i së enjtes do të jetë sprova më e vështirë për guvernatoren Pejlin. Zonja Pejlin entuziazmoi konservatorët brenda Partisë Republikane pas zgjedhjes së saj të papritur në kandidaturën e të emëruarit republikan për president Xhon Mekejn.

Por gjatë intervistave të fundit televizive, zonja Pejlin është dukur paksa e paqëndrueshme dhe ka dhënë përgjigje jo të rrjedhshme.

Disa komentatorë konservatorë kanë sugjeruar se ajo nuk është në gjendje ta bëjë punën e nënpresidentes.

Por zonja Pejlin iu përgjigj kritikëve të saj gjatë një interviste kohët e fundit në CBS News.

"Jo vetëm që jam gati, por kam vullnetin dhe jam në gjendje të shërbej si nënpresidente me senatorin Mekejn, nëse amerikanët na japin privilegjin dhe mundësinë t'u shërbejmë atyre".

Senatori Mekejn vazhdon të këmbëngulë se entuziazmi që ka ngjallur ajo mes republikanëve është më i rëndësishëm sesa shqetësimet për mungesën e përvojës së saj në politikën e brendshme dhe të jashtme.

"Jam shumë krenar për entuziazmin që ka ngjallur guvernatorja Pejlin në partinë tonë dhe në këtë vend. Ёshtë një nivel entuziazmi që sinqerisht nuk e kam parë më parë".

Zonja Pejlin do të përballet me një nga senatorët më me përvojë në Uashington, Xho Bajden nga shteti Delëuer.

Zoti Bajden u zgjodh për herë të parë në senat në vitin 1972 dhe ka vite përvoje në komisionin e senatit për marrëdhëniet me jashtë që trajton çështjet e politikës së jashtme.

Zoti Bajden është shumë aktiv në partinë e tij. Ai ka kandiduar dy herë për Shtëpinë Bardhë dhe tani në fushatën me të emëruarin demokrat Barak Obama, është personi që ndërmerr sulmet politike ndaj kampit republikan.

"Pra mos më tregoni se kush po i mban anën klasës së mesme që po përpiqet t'ia dalë. Nuk është Xhorxh Bushi dhe as Xhon Mekejni".

Zoti Bajden bën gafa kur flet dhe është kritikuar në të kaluarën se fliste shumë. Megjithatë do të jetë guvernatorja Pejlin ajo që duhet ta tregojë veten gjatë debatit të së enjtes. Brus Mirof është ekspert i politikës në Universitetin shtetëror të Nju Jorkut në Albani.

"Ajo do të jetë në qendër të vëmendjes. Senatori Bajden sigurisht që do të dëgjohet për të parë se mos bën ndonjë gafë. Por debati në sytë e audiencës do të përqendrohet kryesisht tek guvernatorja Pejlin dhe nëse ajo do të jetë në gjendje ta tregojë veten se është e zonja për këtë post apo jo".

Kurioziteti për zonjën Pejlin e ka nxitur interesin për debatin e të enjtes. Por eksperti i Universitetit të Virxhinias Leri Sabato vë në dukje se votuesit historikisht nuk i marrin vendimet duke u bazuar tek nënpresidentët.

"Në fund të fundit, kur votuesit e pavarur vendosin për kë do të votojnë ndërsa afrohet dita e zgjedhjeve, ata do të zgjedhin mes dy njerëzve, njëri prej të cilëve do të ulet në zyrën e presidentit. Kjo është kryesorja në zgjedhje".

Pas debatit të së enjtes, mbeten edhe dy debate të tjera mes kandidatëve Obama dhe Mekejn. Njëri në Tenesi me 7 tetor dhe tjetri në Nju Jork me 15 tetor. //iç//

XS
SM
MD
LG