Lidhje

SHBA: Kandidatët për zv/president përballë njeri tjetrit në debatin e tyre të shumëpritur


Kandidatët republikanë dhe demokratë për zv/president, Sara Pejlin dhe Xho Bajdën, u konfrontuan për çështjen e luftës në Irak, për ekonominë dhe çështje të tjera në debatin e tyre të parë dhe të vetëm, para zgjedhjeve të përgjithëshme të këtij viti. Hollësitë na i sjell kolegia Isabela Çoçoli.

Senatori Bajdën tha në fillim të debatit se kriza e tanishme ekonomike është rezultat i politikave të ndjekura nga Presidenti republikan Xhorxh Bush gjatë dy mandateve të tij dhe se në tetë vjetët e fundit "politikat ekonomike kanë qënë më të këqiat" në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Për të njejtën çështje, kandidatja republikane për zv/presidente, Sara Pejlin, tha se ekonomia është në gjendje të vështirë dhe se qeveria federale nuk ka luajtur një rol të fortë për ta shmangur krizën. Ajo theksoi se shumë amerikanë janë të trembur nga gjendja ekonomike e vendit.

Senatori Bajdën tha se kandidati republikan për president, Senatori Xhon Mekein, nuk e njihte realitetin në terren dy javë më parë kur tha se bazat e ekonomisë amerikane janë të forta.

Në përgjigjen e saj, Guvernatorja Pejlin tha se deklaratat e Senatorit Mekein i referoheshin aftësisë dhe praktikës amerikane të punës dhe punonjësve. Zonja Pejlin theksoi nevojën për shkurtimin e taksave dhe e përshkroi zotin Mekein si një individ "maverik".

Të dy kanditatët folën për praktikën që do të ndiqnin për të ngushtuar divergjencat partiake në Uashington.

Senatori Bajdën përvojën e tij shumëvjeçare të bashkëpunimit me ligjvënësit e të dy partive në shumë çështje, nga dhuna kundër grave deri tek gjenocidi në Bosnje.

Guvernatorja Pejlin tha se ajo ka një përvojë të gjatë si kryetare bashkie dhe si guvernatore e një shteti. Ajo tha se kanditati demokrat për president, Senatori Barak Obama, ka votuar kryesisht në linja partiake dhe nuk ka prova që ai do ta lërë mënjanë aderencën partiake.

Gjatë diskutimit për politikën e jashtëme, Guvernatoja Pejlin kritikoi Senatorin Obama se kundërshtoi shtimin e trupave në Irak, që koha tregoi se dha rezultate. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më afër fitores në Irak dhe nuk duhet të humbasin në momentin e fundit.

Senatori Bajdën tha se Barak Obama ka paraqitur një plan të qartë për luftën dhe me një grafik të përcaktuar mirë për transferimin e përgjegjësive tek irakianët gjatë 16 muajve të ardhëshëm. Ai tha se caktimi i afatit për tërheqjen e trupave është i domosdoshëm dhe kritikoi Senatorin Xhon Mekein që e kundërshton atë.

Zoti Bajdën tha se administrata Obama do t'i jepte fund kësaj lufte, por për Senatorin Mekein nuk ka një fund për të. Ai tha se pikpamja e Senatorit Mekein për çështjet themelore të kësaj lufte është "shumë e gabuar". Por Guvernatorja Pejlin e quajti planin e Senatorit Obama "flamur të dorëzimit" në Irak dhe Afganistan.

Si zonja Pejlin ashtu edhe zoti Bajden shprehën mbështetje të fortë për Izraelin, por Senatori Bajdën e përshkroi politikën e administratës Bush në Lindjen e Mesme si "një ndërmarrje të dështuar". Ai tha se administrata Obama-Bajden do ta ndryshonte politikën amerikane në Lindjen e Mesme nëpërmjet asaj që Senatori nga Deloverë e quajti diplomaci energjike. Zoti Bajden tha se Senatori Mekein nuk ka shpjeguar ende se çfarë do të bëjë ndryshe nga Presidenti Bush për Iranin, Afganistanin dhe Izraelin. Guvernatorja Pejlin tha se mbështet zgjidhjen e konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve me ekzistencën e dy shteteve, Izraelit dhe shtetit të ri palestinez. Ajo tha se Izraeli është aleati më i fortë dhe më i mirë i Amerikës në Lindjen e Mesme.

Guvernatorja Pejlin dhe Senatori Bajden shprehën mendime krejtësisht të kundërta për rolin e zv/presidentit, dhe në veçanti për rolin e Zv/presidentit, Riçard Çejni.

Zonja Pejlin tha se është dakord me mendimin e zotit Çejni se zv/presidenti duhet të ketë hapësirë veprimi si në çështjet ekzekutive ashtu edhe ato legjislative. Ajo tha se e mirëpret mundësinë për të kryesuar Senatin e Shteteve të Bashkuara dhe për të mbështetur politikat e administratës Mekein. Guvernatorja e Alaskës tha gjithashtu se do të udhëheqë disa nisma të administratës, përfshirë pavarësinë energjitike, reformat në qeveri dhe mbështetjen e familjeve që kanë fëmijë me probleme.

Senatori Bajden shprehu bindjen se Zv/presidenti Çejni është "zv/presidenti më i rrezikshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara", siç u shpreh ai. Zoti Bajden tha gjithashtu se Zv/presidenti Çejni është përpjekur të shtojë së tepërmi pushtetin e degës ekzekutive dhe theksoi më tej se autoriteti i vetëm i zv/presidentit është të votojë në Senat vetëm në rastin kur votat e senatorëve janë të barabarta.

Guvernatorja e Alaskës, Pejlin, është relativisht e re në skenën politike kombëtare. Zonja Pejlin e entuziasmoi bazën konservatore të Partisë Republikane pasi Senatori Xhon Mekein e zgjodhi atë si partneren e tij për në zgjedhjet e nëntorit, por kritikët e vënë në diskutim përvojën e guvernatores me vetëm një mandat në detyrë për të shërbyer në postin e presidentit, nëse rrethat vijnë të tilla.

Në një intervistë me kanalin televiziv CNN dje, Senatori Mekein shprehu besim në "përvojën, talentin dhe aftësitë udhëheqëse" të zonjës Pejlin. Përsa i përket kandidatit demokrat për zv/president, Senatori Biden ka më shumë se 30 vjet përvojë në Uashington.

Sondazhet e kohëve të fundit të opinionit tregojnë se kandidati i Partisë Demokrate për president, Barak Obama, është në krye ndaj kanditatit të Partisë Republikane, Xhon Mekein, me 7 deri në 9 përqind. //iç//

XS
SM
MD
LG