Incidentet e dhunshme kundër imigrantëve në Italinë e Jugut ka zgjuar
revoltim të popullatës imigrante në këtë rajon.Mbi 10
mijë veta, shumica imigrantë demonstruan kundër racizmit në qytetin jugor
të Kazertës, pranë Napolit. Ndërkohë, qeveria italiane dislokoi rreth 500
ushtarë në atë zonë, në përpjekje për të luftuar organizatën kriminale të
Kamorrës.
Policia italiane tha se vrasjet e imigrantëve kishin lidhje me trafikun e drogës në atë zonë, ku duket se afrikanët kanë filluar të merren me drogë në mënyrë të pavarur duke mos i paguar më përqindje të fitimit Kamorrës.
Një demonstratë masive u mbajt në Kazerta dje në mëngjes kundër racizmit dhe kundër Kamorrës. Më shumë se 10 mijë vetë morën pjesë në tubim. Përveç imigrantëve, të cilët këndonin këngë nga vendet e tyre të origjinës si Gana, Liberia, Nigeria etj., në demonstratë morën pjesë edhe shumë studentë, anëtarë të shoqatave lokale dhe udhëheqës të institucioneve.
Një imigrant afrikan i cili mori pjesë në demonstratë tha se situata këtu ka ndryshuar shumë pas vrasjeve. Nuk është më siç ka qenë përpara;tani, thotë ai, ka diskriminim dhe vrasje të imigrantëve.
Autoritetet italiane e kanë intensifikuar luftën e tyre kundër Kamorrës. Të shtunën 500 ushtarë u dislokuan në atë zonë për ndihmuar policinë lokale.
Trupat po patrullojnë rrugët dhe postblloqet në Kazerta. Ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni ka thënë se synimi është të bëhet e qartë prania e shtetit.
Vetëm këtë javë janë
arrestuar shumë mafiozë në atë zonë dhe zoti Maroni tha se shteti italian po
lufton Kamorrën. Ai shtoi se po ushtrohet presion si asnjëherë tjetër mbi
krimin e organizuar dhe se operacionet do të vazhdojnë deri sa shteti ta fitojë
luftën. //mm//