Lidhje

Në Itali zhvillohen protesta kundër racizmit


Incidentet e dhunshme kundër imigrantëve në Italinë e Jugut ka zgjuar revoltim të popullatës imigrante në këtë rajon. Mbi 10 mijë veta, shumica imigrantë demonstruan kundër racizmit në qytetin jugor të Kazertës, pranë Napolit. Ndërkohë, qeveria italiane dislokoi rreth 500 ushtarë në atë zonë, në përpjekje për të luftuar organizatën kriminale të Kamorrës.

Kamorra ka treguar se nuk ka ndër mend të heqë dorë nga kontrolli i territorit në zonën e Kazertës pranë Napolit. Vetëm para dy javësh, pjesëtarët e kësaj organizate kriminale hapën zjarr duke vrarë gjashtë imigrantë. Që atëherë ka pasur më shumë vrasje megjithëse jo të gjithë imigrantë.

Policia italiane tha se vrasjet e imigrantëve kishin lidhje me trafikun e drogës në atë zonë, ku duket se afrikanët kanë filluar të merren me drogë në mënyrë të pavarur duke mos i paguar më përqindje të fitimit Kamorrës.

Një demonstratë masive u mbajt në Kazerta dje në mëngjes kundër racizmit dhe kundër Kamorrës. Më shumë se 10 mijë vetë morën pjesë në tubim. Përveç imigrantëve, të cilët këndonin këngë nga vendet e tyre të origjinës si Gana, Liberia, Nigeria etj., në demonstratë morën pjesë edhe shumë studentë, anëtarë të shoqatave lokale dhe udhëheqës të institucioneve.

Një imigrant afrikan i cili mori pjesë në demonstratë tha se situata këtu ka ndryshuar shumë pas vrasjeve. Nuk është më siç ka qenë përpara; tani, thotë ai, ka diskriminim dhe vrasje të imigrantëve.

Autoritetet italiane e kanë intensifikuar luftën e tyre kundër Kamorrës. Të shtunën 500 ushtarë u dislokuan në atë zonë për ndihmuar policinë lokale.

Trupat po patrullojnë rrugët dhe postblloqet në Kazerta. Ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni ka thënë se synimi është të bëhet e qartë prania e shtetit.

Vetëm këtë javë janë arrestuar shumë mafiozë në atë zonë dhe zoti Maroni tha se shteti italian po lufton Kamorrën. Ai shtoi se po ushtrohet presion si asnjëherë tjetër mbi krimin e organizuar dhe se operacionet do të vazhdojnë deri sa shteti ta fitojë luftën. //mm//

XS
SM
MD
LG