Lidhje

Mbushen 100 vjet nga dalja në treg e modelit T të makinës Ford


Para 100 vjetësh, në një fabrikë tre katëshe në Detroit të Miçiganit, Henry Ford përfundoi makinën e tij të parë Model T e cila u bë makina më popullore. Ajo mbeti e tillë deri në vitet 1970 kur ia zuri vendin VolksWagon Beetle.

Kjo makinë ndryshoi mënyrën e jetesës së amerikanëve, duke u dhënë mundësi njerëzve të kenë automjetet e tyre. Modeli T ishte makina e parë që mund ta përballonin jo vetëm të pasurit por edhe masat. Me disa ndërprerje të shkurtra, ajo u prodhua vazhdimisht për 19 vjet, deri në vitin 1927. 15 milionë makina të tilla u ndërtuan gjithsej. Bob Casey është kurator në Muzeun Henry Ford në Dearborn të Miçiganit.

"Është automobili i parë që kishte kapacitet të lartë, mund të transportonte një numër njerëzish dhe njëkohësisht kishte një çmim të përballueshëm për shumë njerëz".

Xhon Tihen ka shkruar për makinat që në vitin 1955. Ai thotë se një nga arsyet e popullaritetit të modelit T ishte se Fordi ngriti pika shitjeje pranë njerëzve.

"Nëse doje një automjet dhe dëgjoje për këtë makinë të re, nuk kishe nevojë të udhëtoje mbi 2 mijë kilometra deri në Detroit për të marrë një të tillë. Me siguri që do të gjeje një pikë shitjeje në një rreze prej rreth 200 kilometrash".

Henry Ford gjithashtu ishte i pari që ngriti pika prodhimi në shumë vende dhe shumë shpejt e çoi Modelin T në Kanada, Evropë dhe Australi.

Brenda 4 vjetësh, Ford kishte shpikur prodhimin në seri, i cili revulucionizoi prodhimin dhe e uli çmimin e modelit T deri në 300 dollarë. Keith Crane është botues i Revistës "Të reja mbi Automobilat".

"E ngriti në mënyrë drastike efektivitetin dhe rendimentin e punëtorëve. Kështu me kalimin e kohës, kostoja e këtij modeli u ul dramatikisht, një nga arsyet e popullaritetit. Ishte makinë e lirë".

Suksesi i Modelit T solli si rezultat Kompaninë e Automjeteve Ford, e cila mbetet një nga pesë komanitë më të mëdha të makinave në botë. Ajo ndihmoi në krijimin e industrisë së makinave në botë. Qindra mijëra vetë në gjithë botën punojnë për të. //kk//


XS
SM
MD
LG