Lidhje

50-vjetori i agjencisë së hapësirës NASA


Për 50 vjet me radhë, agjencia e hapësirës, NASA ka qenë si askush të tjetër në botë, aktive në eksplorimin e gjithësisë. Një pjesë e mirë e njohurive që kemi sot rreth Hënës, sistemit diellor dhe gjithësisë, ka ardhur nga puna e shkencëtarëve të kësaj agjencie. Me rastin e 50-vjetorit të NASA-s, le t'i hedhim tani një vështrim të ardhmes së saj, e cila me sa duket është ende e paqartë.

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, po e reklamon dhe feston 50-vjetorin e saj me aktivitete që kanë vazhduar gjithë këtë vit por fakt është se shumë njerëz janë të shqetësuar rreth gjendjes së saj të tanishme dhe paqartësive për të ardhmen. Senatori Bill Nelson është kryetar i nënkomisionit të Senatit që mbikqyr NASA-n.

"NASA është në udhëkryq dhe kjo lidhet me faktin nëse do të kemi apo jo ne vullnetin politik dhe burimet kombëtare për të realizuar ëndrrën e programit hapësinor, qoftë të misioneve me njerëz apo pa njerëz."

Koha e lavdisë së NASA-s dhe arritjet e saj në misionet me njerëz janë të njohura dhe të dokumentuara mirë.

Për shumë vite me radhë pas krijimit, NASA lulëzoi në sajë të fondeve të mëdha qeveritare.

Konsulenti dhe ish menaxheri i NASA-s, Alan Ladwig thotë se sot gjërat kanë ndryshuar.

"Në kulmin e programit Apollo, shpenzimet për NASA-n përfaqësonin 4% të buxhetit federal. Sot ajo merr vetëm 0,6%."

Anijet e tipit Shuttle i kanë dërguar astronautët amerikanë në hapësirë që nga viti 1981. Por flota e këtyre anijeve është vjetëruar dhe do të nxirret jashtë përdorimit në vitin 2010. Pas kësaj do të duhen ndoshta edhe 5 vjet para se ato të zëvendësohen. Presidenti Bush dhe NASA tani kanë vënë si objektiv dërgimin përsëri të njeriut në Hënë, misione të tjera në planetin Mars dhe ndërtimin e anijeve të reja të hapësirës për këtë qëllim.

Por, thotë Senatori Nelson, problem janë përsëri fondet.

"NASA nuk mund të marrë dot përsipër njëkohësisht anijet shuttle dhe fillimin e programit të ri "Constellation", pa fonde të tjera dhe kjo ka shkaktuar mospërputhje si dhe krijimin e një periudhe kohore prej 5 vjetësh gjatë së cilës nuk do të dërgohen njerëz në hapësirë."

Megjithëse anijet e reja të hapësirës janë në ndërtim e sipër, Amerika nuk do të jetë në gjendje të dërgojë njerëz në stacionin orbital ndërkombëtar pa ndihmën e të tjerëve dhe kjo gjë nuk i pëlqen ish astronautit dhe senatorit John Glenn.

"NASA ka mbetur aq keq pa fonde seqë i duhet të pakësojë fluturimet e tipit shuttle për të kursyer në mënyrë që të mund të përfundojë punën në stacionin e hapësirës. Më duket pak qesharake kur ne shkurtojmë fonde deri në atë masë sa nuk kemi mundësi të dërgojmë njerëz në stacionin orbital dhe për këtë qëllim do të duhet të kontraktojmë me rusët pas vitit 2010."

Astronautët gjithnjë i shikojnë me shumë optimistë eksplorimet në hapësirë.

Për fat të keq, në këtë vit të 50-vjetorit të saj, NASA shikon sfida të mëdha në horizont, me të cilat do të përballet herët a vonë. //bsa//

XS
SM
MD
LG