Lidhje

Ministrat e Financave të BE-së në përgjigje të krizës financiare


Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Zhan Klod Trishe tha se do t'u ofrojë bankave evropiane fonde, për sa kohë që të jetë e nevojshme që të shpëtohen nga falimentimi. Zoti Trishe i bëri komentet dje, ndërkohë që çmimet e aksioneve në bursat evropiane ranë dhe udhëheqësit e BE-së u përpoqën të eliminojnë panikun e shkaktuar nga kriza financiare globale. 15 ministra të financave të BE-së filluan dje një takim 2-ditor në Luksenburg me synimin për të hartuar një plan për të ruajtur qëndrueshmëri në tregjet financiare.

Ministrat e financave kanë për synim të hartojnë në hollësi një plan bazuar në angazhimet e udhëheqësve të fuqive kryesore ekonomike të Evropës për të punuar së bashku për daljen nga kriza që ka prekur 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian si dhe shumë pjesë të tjera të botës.

Hollësitë e përgjithshme të planit të bashkëpunimit u parashtruan të dielën nga Presidenti francez Nikola Sarkozi, i cili ka edhe postin e presidentit të radhës të Bashkimit Evropian, si dhe udhëheqës të tjerë që merrnin pjesë në takimin e Parisit.

Zoti Sarkozi tha përmes një deklarate se të gjitha vendet anëtare të BE-së do të ndërmerrnin hapat e nevojshëm për të ruajtur stabilitetin financiar. Një numër vendesh evropiane, përfshirë Francën, u angazhuan për të rritur nivelin tavan të shumave të garantuara nga banka, një masë që u mor më parë nga Gjermania.

Por veprimet e tyre nuk mjaftuan për të qetësuar në periudhën afat-shkurtër investitorët, ndërkohë që çmimet e aksioneve vazhduan të bien në bursën e Tokios dhe Nju Jorkut gjatë ditës së djeshme.

Në bisedimet e tyre në Luksenburg, ministrat e financave të 15 vendeve evropiane që përdorin monedhën euro, do të shqyrtojnë efektet e krizës dhe mundësinë e rritjes së kontrollit mbi institucionet qeveritare që veprojnë në disa vende evropiane.

Vendet e Bashkimit Evropian kanë hedhur poshtë idenë e një plani të përbashkët në ndihmë të sektorit financiar, të ngjashëm me planin e Shteteve të Bashkuara, por Belgjika, Luksenburgu dhe Holanda arritën një marrëveshje të përbashkët kohët e fundit për të shpëtuar nga falimentimi 2 institucione financiare që operojnë në të tria këto vende. //ad//

XS
SM
MD
LG