Lidhje

Presidenti Bush: Fuqitë ekonomike do të bashkëveprojnë për krizën


Presidenti amerikan Xhorxh Bush doli nga një takim në Shtëpinë e Bardhë me fuqitë kryesore ekonomike në botë, duke thënë se kanë rënë dakort të punojnë së bashku për të rivendosur stabilitetin dhe rritjen e ekonomisë globale. Presidenti Bush i bëri komentet të shtunën pas një takimi me ministrat e financave të cilët ndodhen në Uashington për një takim të Grupit të Shtatëshes. Zoti Bush tha se në përpjekjet për ta zgjidhur situatën, veprimet e një vendi nuk duhet të minojnë apo t'u kundërvihen veprimeve të një tjetri. Presidenti tha se ministrat e financave kanë premtuar t'i mbështesin institucionet fianciare kryesore dhe të parandalojnë dështimin e tyre. Presidenti Bush tha se ministrat do të punojnë shpejt për të mbrojtur depozitat bankare, për të hedhur para në institucionet financiare për të rivënë në punë tregun e kredive. Ai tha gjithashtu se kanë rënë dakort që të garantojnë mbrojtjen e taksapaguesve.

Gjatë dhjetë ditëve të fundit të këmbimit të bursës në Shtetet e Bashkuara, indeksi Dou Xhons ka humbur më shumë se 20 përqind të vlerës së tij. Por as tregjet botërore nuk i kanë shpëtuar kësaj krize. Tregjet e aksioneve në Azi dhe Evropë kanë shënuar gjithashtu rënie të thella. Ndërsa bursa në Rusi dhe Indonezi është pezulluar pa afat.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Bush u përpoq përsëri t'i siguronte amerikanët se plani i qeverisë për zgjidhjen e krizës financiare do të funksionojë.

"Ja çfarë duhet të dinë amerikanët: se qeveria e Shteteve të Bashkuara po vepron; dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë për ta zgjidhur këtë krizë dhe për t'i rikthyer stabilitetin tregjeve tona."

Megjithatë, garancitë që dha presidenti nuk ndikuan shumë tek këmbimi i bursës në Uoll Strit. Pas një ngritjeje të shkurtër të premten në mëngjes, një nga menaxherët e indeksit S&P Sem Stovall thotë se çmimet ranë menjëherë pas fjalimit të presidentit.

"Me sa duket arriti në një pikë ku tregu e kuptoi se ai nuk do të thoshte asgjë të re dhe indeksi Dou filloi të binte me shpejtësi."

Analisti Frensis Lun nga Hong Kongu thotë se besimi i investitorëve ka rënë në nivelin më të ulët ndonjëherë.

"Ka humbur fare besimi. Mendoj se tregu vazhdon të kërkojë fundin e kësaj gjendjeje dhe mbështetje. Por fundi nuk do të vijë, deri sa investitorët të binden se tregjet financiare po stabilizohen."

Shumica shpresojnë se mbështetja do të vijë nga takimi i udhëheqësve botërorë të Grupit të shtatë vendeve të industrializuara në Uashington. Presidenti Bush thotë se udhëheqësit ndërkombëtarë ndajnë të njëjtat shqetësime me të.

"Përmes këtyre përpjekjeve, bota po dërgon një sinjal të qartë: ky problem na ka goditur të gjithëve dhe do ta zgjidhim së bashku."

Ekonomistët thonë se udhëheqësit botërorë kanë arsye të forta për të punuar me Shtetet e Bashkuara. Analisti Dejvid Hejl thotë se një rënie ekonomike në Shtetet e Bashkuara do të thotë ngadalësim për të gjithë botën.

"Kriza është në qendër të ekonomisë globale sepse ekonomia amerikane përbën 25 përqind të prodhimit të përgjithshëm neto në shkallë botërore."

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikon që Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një periudhë rënieje ekonomike këtë vit, duke shkaktuar një ngadalësim të theksuar në të gjithë ekonominë globale. //bsa//

XS
SM
MD
LG