Lidhje

Shefi i FMN-së, optimist për stabilizimin e tregjeve financiare


Ndërsa udhëheqësit e vendeve të Eurozonës bënë publike masat për të mbrojtur institucionet financiare dhe për të garantuar dhënien e huave ndërbankare, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominik Shtraus-Kahn tha të dielën në Uashington se tanimë ka nisur një program i bashkërenduar dhe efektiv për t'i bërë ballë krizës financiare.

Zoti Shtraus Kahn foli në mbyllje të takimit të ministrave të financave të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Ai tha se masat urgjente të bëra publike nga udhëheqësit evropianë në Paris janë shumë pozitive.

"Unë kam besim sepse besoj se çfarë është bërë këto ditë duke filluar që nga deklarata e përbashkët e shtatë vendeve më të industrializuara, duke vazhduar më pas me takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore apo takimi i udhëheqësve të vendeve të eurozonës është pikërsht veprimi i duhur."

Franca, Gjermania, Italia and vende të tjera të eurozonës do të garantojnë dhënien e huave ndërbankare dhe do t'u japin para kesh bankave në nevojë. Këto masa kanë për qëllim të rikthejnë besimin e investitorëve dhe të bëjnë që tregjet të funksionojnë siç duhet. Të shtunën zoti Shtraus-Kahn paralajmëroi se sistemi financiar global po shkonte drejt shkatërrimit.

Sipas presidentit të Bankës Botërorë, Robert Zëllik, kriza financiare së bashku me rritjen e çmimeve të ushqimit dhe karburantit që i parapriu krizës, kanë varfëruar sivjet rreth 100 milionë vetë në botë. Dje zoti Zëllik u tha gazetarëve se problemet e papara ndonjëherë në tregjet financiare përbëjnë një kërcënim të madh për vendet në zhvillim.

"Kjo ishte një katastrofë që u shkaktua nga vetë njerëzit. Edhe veprimet dhe përgjigjet ndaj krizës varen nga ne. Duhet gjithashtu të sigurohemi që, ndërsa qeveritë dhe taksapaguesit e përqendrojnë vëmendjen në problemet financiare vendore, ato nuk do të tërhiqen nga zotimet e tyre për të shtuar ndihmën për vendet në zhvillim."

Kriza ekonomike, gjatë së cilës shumë tregje botërore humbën rreth 20 përqind të vlerave të tyre vetëm gjatë javës së fundit, tërhoqën vëmendjen e zyrtarëve financiarë gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington. Ata e përshëndetën një plan veprimi për masa urgjente të bashkërenduara, i cili u prezantua të premten nga ministrat e financave të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Japonisë. //ad//

XS
SM
MD
LG