Lidhje

Çeshtja Fazlliç vë përballë qeverinë dhe prokurorinë


U bënë disa ditë që çështja Faslliç e ka vënë kryeministrin nën akuzat e një pjesë të mirë të shtypit por edhe të opozitës, për miqësinë e tij personale me biznesmenin boshnjak dhe për aktivitetin financiar të ketij të fundit në Shqipëri.

Kryeministri Berisha tha sot se kërkesa për një hetim ndërkombëtar është e nxitur nga dy arsye. Së pari për të vërtetuar nëse zoti Faslliç ka marrë qoftë edhe një qindarkë të vetme nga fondet publike dhe kjo çështje shtoi kryeministri është shumë e rëndësishme për t'u sqaruar. Së dyti, siç u shpreh kryeministri, “ditët e fundit kanë ndodhur veprime shumë të rënda motivet e të cilave duhen qartësuar”. Ai iu referua këtu drejtpërsëdrejti prokurorisë e cila javën e shkuar hapi një hetim ndaj zotit Faslliç dhe u përpoq ta merrte në pyetje atë, ndërsa ai ndodhej në Tiranë për të dhënë një intervistë në televizionin Klan.

Kryeministri foli për përplasjen e prokurorisë me policinë e cila nuk kishte pranuar të ndalonte zotin Faslliç të nisej me avion. Kjo pasi sipas kryeministrit prokuroria kishte vepruar duke dhënë urdhëra verbal, ndërkohë që prokurorët kanë deklaruar se kanë telefonuar vetëm për të kërkuar zbatimin e një urdhëri të nisur me shkrim. Por akoma më të rëndë kryeministri cilësoi faktin që “prokuroria po godet në mënyrë të pabesueshme bisnesin duke ngrirë asetet e kompanive dhe firmave që s’kanë asnjë penalitet”. Ai foli për sekuestrim antiligjor të aseteve të një kompanie e cila kishte në bordin e saj kunatin e ministrit të jashtëm Lulëzim Basha, ish administrator i disa kompanive të Faslliçit në Shqipëri.

Zoti Berisha tha se ai mbështetste pavarësinë e prokuorisë por se vetë prokuorët po i vinin kazmën këtij institucioni jetik. Sipas tij në veprimet e prokurorisë ka një prapavijë politike dhe “veprimet politike do të marrin përgjigjen që meritojnë”. Zoti Berisha tha se do të kërkohet dhe një komision parlamentar për marrëdhëniet mes prokurorisë dhe institucioneve të tjera.

Prokuroria ka shpjeguar këto ditë variantin e saj lidhur me përplasjet me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë. Sot kryeprokuorja Ina Rama pati analziën e 9 muajve të institucionit që ajo drejton. Në pjesën publike të këtij takimi ajo nuk iu referua drejpërdrejt zhvillimeve të këtyre ditëve. Por duke patur parasysh sulmet në të cilat është gjendur prokuroria, ajo i ka dhënë mbështetje varëtsve të saj duke kërkuar që pavarësisht cdo lloj situaate, ata të mbështeten vetëm në ligj dhe prova, të pandikuar nga influenca jashtëligjore apo nga presione të çfarëdo lloji qofshin, ka deklaruar zonja Ina Rama. “Në kushtet kur e gjithë kjo veprimtari e përplas organin e akuzës me shkelësit e ligjit dhe cënon interesa të subjekteve të ndryshëm që operojnë në shoqërin shqiptare dhe më gjerë, mbrojtja që Prokuoria mund ti ofrojë vetes është vetëm ligji” ka saktësuar kryeprokuororja duke nxitur vartësitë e saj që të përballojnë me vendosmëri çdo pengesë e të përqëndrojnë punën veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar.

Lidhur me deklarimet e sotme të kryeministrit se janë bërë sekuestrime të paligjshme, burime nga prokuroria i thanë Zërit të Amerikës se nuk ka asnjë masë për sekuestrime, por vetëm bllokim të pasurive të biznesmenit Faslliç deri në verfikimin e tyre si dhe është kërkuar vetëm verifikim i pasurive të kunatit të ministrit të Jashtëm Basha, por në asnjë rast sekuestrim.

Për përlasjen më të fundit mes qeverisë dhe Prokurorisë ka reaguar me një qëndrim të fortë ambasada amerikane në Tiranë përmes zëdhënësit: “Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e Prokuorirsë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha cështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore dhe të pavarur pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve. Respektimi i të gjitha institucioneve të pavaruar është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme”, thuhet në deklaratë.


Por nuk është vetëm ambasada amerikane që është vënë në lëvizje. Dita e sotme ka qenë e ngarkuar dhe për përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar këtu në Tiranë. Paradite ka patur një mbledhje të atij që quhet grupi ndërkombëtar dhe në përbërje të të cilit është ambasada amerikane, delegacioni e komisionit europian, OSBE dhe ambasada të rëndësishme perëndimore. Pasdite ka patur edhe një takim të tyre me presidentin Bamir Topi, ndërsa në orën 16 ambasada francese e cila përfaqëson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian ka thirrur në një takim të gjithë ambasadorët e Bashkimit Evropian. Nuk dihet ende nëse do të ketë një reagim publik, apo thjesht një analizë apo qëndrim që do i përcillet më pas autoriteteve shqiptare

Nga ana e saj opozita prej ditësh është investuar në këtë çështje duke akuzar kryeminstrin dhe qeverinë se po ushtron trysni ndaj prokurorisë. Vendimin e qeverisë për një hetim ndërkombëtar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e cilësoi si një manovër të kryeministrit për të penguar hetimin kushtetues i cili është e drejtë dhe detyrim i prokurorisë. Hetimin ndërkombëtar tha zoti Rama nuk mund ta vendos as kryeministri dhe as klani i tij, shtoi ai, duke qenë se janë të përfshirë direkt në këtë hetim. Prandaj, sqaroi zoti Rama forcat qeveritare bëjnë mirë të mbajnë duart larg nga prokuroria.
Zoti Rama saktësoi se opozita nga ana e saj nuk do të qëndrojë e heshtur dhe se nuk do të rresht së kërkuari nga Prokuroia që të bëjë detyrën dhe të cojë deri në fund hetimet jo vetëm për këtë cvëhtje por edhe për shpërthimin e Gërdecit apo abuzimin që sipas opozitës është bërë me fondet e projektit me rëndësi kombëtare rrugës Durrës Kukës. //rd//

XS
SM
MD
LG