Lidhje

Kosovë - Punonjësit e shëndetësisë në grevë të përgjithshme


Punonjësit e shëndetësisë në Kosovë janë hedhur sot që nga ora 7 e mëngjesit në grevë pune fillimisht e përcaktuar si 24 orëshe me kërkesat për përmirësimin e gjendjes së rëndë të këtij sistemi. Federata sindikaliste e punonjësve shëndetësorë hodhi poshtë një ofertë të qeverisë për një rritje tre muajore prej 44 eurosh, afërsisht 60 dollarë amerikan për të gjithë punonjësit shëndetësorë. Nënkryetari i kësaj federate, Jahir Mulolli thotë se kërkesat e rreth 7 mijë mjekëve e infermierëve janë mjaft modeste. “Domethënë. është rritja e pagave prej 50 për qind dhe kthimi i disa ligjeve në procedurë të miratimit. Aty janë ligji i sigurimeve shëndetësore, ligji i punës, ligji i organizimit sindikal, ligji i organizimit të grevave dhe ligji i pagave”, tha zoti Mulolli

Greva mund të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave thanë udhëheqësit e sindikatave të punonjësve shëndetësorë dhe gjatë kësaj kohe në Spitalet e Prishtinës do të trajtohen vetëm rastet emergjente, thotë drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës Jusuf Ulaj. “Jemi marrë vesh edhe drejtorët e klinikave që rastet të cilat për momentin gjenden nëpër reparte të vizitohen nga mjekët që i trajtojnë ata (pacientët) dhe ta marrin mbikëqyrjen profesionale. Po ashtu janë ekipet kujdestare të cilat funksionojnë. Kemi formuar edhe ekipe shtesë në rast nevojë që t’i dalin në ndihmë qendrës emergjente”, tha zoti Ulaj.

Sindikalistët ngulin këmbë se është koha e fundit për ndryshimin e gjendjes së punonjësve shëndetësorë. Paga mujore e një doktori specialist në Kosovë është rreth 250 euro ndërsa të ardhurat e infermierëve dhe personelit tjetër në institucionet shëndetësore janë edhe më të vogla. Qeveria e Kosovës është zotuar të shqyrtojë të gjitha mundësitë për përmirësimin e gjendjes së sistemit shëndetësorë i cili funksionon në kushte shumë të vështira që nga përfundimi i luftës në vend. Dy ditë më parë qeveria shmangu një protestë të punonjësve të policisë duke marrë në shqyrtim një projekt për përmirësimin e gjendjes së tyre ndërsa muajin e kaluar siguroi një rritje të pagave të punonjësve të arsimit duke shmangur grevat. Ndërkohë mundësinë e grevave e kanë paralajmëruar edhe punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Kosova e cila tetë muaj më parë shpalli pavarësinë e saj, vazhdon të përballet me gjendje të rëndë ekonomike me shkallë të lartë të papunësisë që përfshinë gjysmën e popullsisë dhe që rrjedhimisht kushtëzon edhe një shkallë të lartë të varfërisë.//rd//

XS
SM
MD
LG