Lidhje

Çështja Fazlliç - Reagojnë ambasadorët e BE-së


Gjatë gjithë ditës së djeshme përfaqësuesit e diplomacisë perëndimore dhe institucioneve ndërkombëtare janë marrë me konfliktin e ashpër që shkaktoi hapja e hetimeve ndaj biznesmenit boshnjak Damir Faslliç.

Prokuroria u vë në përplasje të hapur me ministrin e Brendshme dhe atë të Drejtësisë, ndërsa kryeministri në mesditë akuzonte organin e akuzës për shkelje të rënda të ligjit dhe veprime me sfond politik duke paralajmëruar edhe një hetim ndërkombëtar. Ndërkohë diplomatët perëndimorën ishin vënë në lëvizje.

Tre takime u zhvilluan gjatë ditës së djeshme përshirë edhe një bisedë me kreun e shtetit Bamir Topi, ndërsa pasdite ambasada franceze thirri në mbledhje ambasadorët e të gjithë vendeve të Bashkimit europian. Një takim të cilit i kishte paraprirë një deklaratë e ambasadës amerikane me tone të prera ku theksohej shqetësimi për veprimet e ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë për të ndërhyrë në pavarësinë e prokuorisë në një cështje e cila është në hetim.

Thuajse e njëjta linjë shqetësimi është mbajtur edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian sot sipas të cilëve zhvillimet e fundit në lidhje me sisitemin e Drejtësisë mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme me institucionet në vend. Ambasadorët i bëjnë një thirrje të fortë, kryesisht qeverisë, të respektojë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është dhe llogaridhënia para ligjit.

Pozicionimi i faktorit ndërkombëtar në situatën e krijuar është mëse i qartë. Kryeministri ndaj të cilit janë drejtuar akuzat e opozitës dhe një pjese të mirë të shtypit dje i ka qëndruar idesë se ka qenë prokuoria ajo që po shkel ligjet majde ka përdorur edhe terma kërcënues kur është shprehur se veprimet politike do të marrin përgjigjen që meritojnë duke paralajmëruar edhe një komision parlamentar për marrëdhëniet e krijuara me prokuorinë. Ndërsa në mbrëmje ai ka mbrojtur fort edhe vendimin për të kërkuar një hetim ndërkombëtar duke deklaruar se opozita i druhet per shkak te perfshirjeve te saj te kaluaren ne afera kriminale.
Opozita e konsideron një komision të tillë si një manovër të kryeministrit për të penguar hetimin e Prokurorisë, ndërsa sot përshëndeti deklarata e Sheteteve të Bashkuara dhe vendeve të BE-së: Thirrja e fortë e Bashkimit Europian, sot, është një tjetër këmbanë që bie për Sali Berishën, është një tjetër alarm për të gjithë qytetaret e qytetarët e këtij vendi, që duhet të jenë në front për të zbrapsur dallgën e ngritur të presionit qeveritar ndaj njerëzve të ligjit". Kryetari socialist ka akuzuar qeverinë se është kthyer në një mbrojtëse të boshnjakut të etiketuar si sekser i kryeministrit: "Nuk ka shfaqje më të shëmtuar dhe më të trishtuar se sa kjo që po japin përditë zëdhënësit dhe përfaqësuesit e një mazhorance të lindur nga vullneti i popullit shqiptar për të luftuar korrupsionin dhe të katandisur në një trup avokatore, që mbron nga prokuroria dhe nga hetimi një sekser, i cili ka lidhur me fijet e interesave të paligjshme një klan të tërë, që është klani i Kryeministrit".

Çështja Faslliç duket se do të rrijë gjatë në skenën e debatit politik dhe situata e ditëve të fundit ka qenë negative për imazhin e qeverisë kur pas pak javësh do të publikohet edhe raporti i BE-së për Shqipërinë.

//rd//
XS
SM
MD
LG