Lidhje

Emiratet e Bashkuara njohin Kosovën


Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se njohën sot Kosovën, duke u bërë kështu vendi i 51 që e njeh atë që pas shpalljes së pavarësisë në muajin shkurt.

Ndërkohë autoritetet malazese vendosën të ndalojnë një protestë të opozitës të parashikuar për të enjten, për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Vendimi për ndalimin e protestës pasoi dhunën që ndodhi të hënën në një protestë të ngjashme, gjatë së cilës policia përdori gazin lot-sjellës për të shpërndarë demonstruesit në Podgoricë.

Udhëheqësi i opozitës Andrija Mandiç e akuzoi qeverinë si përgjegjëse për dhunën dhe tha se do të fillonte një grevë urie për të detyruar qeverinë të përmbyste vendimin.

Dëshmitarët thonë se rreth 10 mijë demonstrues arritën të çajnë gardhin e policisë para ndërtesës së parlamentit dhe filluan të qëllojnë me gurë duke thyer xhamat e dritareve.

Sipas burimeve nga spitali 34 persona u dëmtuan, përfshirë 23 policë. Nuk pati dëmtime serioze. Policia njofton se ka ndaluar 28 persona.

Mali i Zi dhe Maqedonia e njohën Kosovën javën e kaluar. Beogradi u kundërpërgjigj duke dëbuar ambasadorët e të dy vendeve nga Serbia.

XS
SM
MD
LG