Lidhje

Bursa pëson rënie të thella pas raportit për shitjet me pakicë në SHBA


Uoll Striti i humbi përsëri thuajse të gjitha fitimet e së hënës ndërkohë që pesimizmi i investitorëve për ekonominë në rënie bëri që indeksi Dou Xhons të binte të mërkurën me 733 pikë apo tetë përqind.

Kjo ishte rënia e dytë më e madhe për indeksin Dou Xhons, i cili tani ka arritur përsëri në nivelin ku ishte para rritjes së madhe të hënën. Indekset e tjera ranë edhe më shumë. Indeksi S & P 500 ra nëntë përqind, dita më e keqe për të që nga kolapsi i tregut të aksioneve në vitin 1987. Indeksi Nasdak ra rreth nëntë përqind po ashtu.

Faktori që shkaktoi këto rënie ishte një raport që tregonte se shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara ranë mbi një përqind në shtator, një rënie dy herë më e madhe seç kishin parashikuar analistët. Ky ishte muaji i tretë i njëpasnjëshëm i rënies së shitjeve me pakicë dhe shenjë që ekonomia mund të jetë tashmë në recesion.

Kreu i Bordit të Rezervës Federale Ben Bernanke tha para një audience në Nju Jork të mërkurën se kriza financiare do të ketë ndikim tek ekonomia dhe se do të duhet kohë për ta marrë veten plotësisht. Zoti Bernanke tha se Rezerva Federale do të bëjë ç’është e mundur për ta stabilizuar ekonominë, e cila ka ngecur në mes të një krize kredish që prej 14 muajsh. Kreu i Rezervës Federale hodhi poshtë çdo krahasim të situatës së tanishme me depresionin e madh të viteve 1930. Si ish-student i historisë së ekonomisë, zoti Bernanke shpjegoi se autoritetet i kanë shmangur gabimet që e kthyen rënien ekonomike të vitit 1929 në depresion. Gabimet kishin të bënin me politikat monetare kufizuese që synonin uljen e inflacionit dhe mosmarrja e masave që lejoi sistemin bankar të të shkatërrohej.

“Së pari, politikat monetare kanë qenë angazhuese dhe agresive. Ne morëm masa shpejt për të stabilizuar sistemin dhe për të zbutur presionin e shkaktuar nga tregjet e kredive. Dhe së dyti, ne nuk pritëm tre vjet e gjysëm të shohim se si bie tregu financiar për të marrë masa të rrepta për ta stabilizuar atë.”

Ndërkohë, Xhenet Jellen, drejtoresha e Bankës së Rezervës Federale në San Fransisko tha se duket që ekonomia është në recesion.

Çmimet e naftës vazhduan të binin, duke ulur katër dollarë dhe duke arritur në 75 dollarë për fuçi. Çmimi i naftës ka rënë rreth 50 përqind që nga rekordi që arriti në korrik dhe është tani në pikën më të ulët që prej 15 muajsh. Vlera e arit mbeti e pandryshuar në 29.5 dollarë për çdo gram, ndërsa dollarit iu rrit vlera në krahasim me euron. //bsa//

XS
SM
MD
LG