Lidhje

Kandidatët presidencialë Mekein, Obama në debatin e tretë dhe të fundit mes tyre


Kandidatët presidencialë Obama dhe Mekein shkëmbyen një sërë akuzash mbi një numër çështjesh, që nga politikat që kanë parashtruar në përgjigje të krizës ekonomike e deri tek taktikat gjatë fushatës presidenciale në debatin e tretë dhe të fundit mes tyre. Një ton më agresiv me komunikim më të drejtpërdrejtë mes kandidatëve e dalloi këtë debat nga debatet e mëparshme. Në një kohë kur kriza financiare që ka mbërthyer jo vetëm bursën amerikane, por edhe tregjet e aksioneve, ka tronditur besimin e investitorëve dhe konsumatorëve tek ekonomia, edhe debati u përqendrua në këtë krizë si temë kryesore.

Në debatin e zhvilluar të mërkurën në Universitetin Hofstra në Nju Jork, dy kandidatët parashtruan politikant e tyre për të nxitur ekonominë, në mënyrë që të kapërcehet kjo krizë. Ende në minutat e para të debatit, rivalët presidencialë u përfshinë në replika të ndezura lidhur me taksat. Senatori republikan nga Arizona, Xhon Mekein akuzoi zotin Obama se po zhvillon luftë ndër-klasore me propozimin e tij për t’ua rritur taksat shtresës më të pasur të popullsisë.

Në përgjigje të akuzës së rivalit republikan, kandidati demokrat Obama nënvizoi se të dy kandidatët duan të ulin taksat, megjithëse ka një dallim të madh mes segmentit të popullatës që do të përfitonte nga këto shkurtime taksash, duke e akuzuar zotin Mekein se synon të favorizojë amerikanët e pasur. Zoti Mekein tha se amerikanët po vuajnë dhe njëkohësisht janë të zemëruar si rezultat i gjendjes aktuale ekonomike. Ligjvënësi republikan nga Arizona fajësoi për krizën babëzinë dhe shpenzimet pa kriter në Uoll Strit dhe Uashington.

Rivali i tij demokrat, senatori nga Ilinoi, Barak Obama, tha se plani i shpëtimit që ai dhe zoti Mekein kishin mbështetur në Kongres është një hap i parë i rëndësishëm në përgjigje të krizës. Por ai shtoi se nuk kishte parë ende ndonjë plan që kishte për synim të ndihmonte klasën e mesme amerikane.

Një tjetër temë e debatit të mbrëmshëm ishte toni që ka marrë fushata presidenciale, e cila gjithnjë e më shumë po shoqërohet me nuanca negative. Të dy kandidatët shprehën synimin për të zhvilluar fushata që përqendrohen tek çështjet që kanë rëndësi për amerikanët.

Kandidatët presidencialë Xhon Mekejn dhe Barak Obama paraqitën mbrëmë disa nga politikat e brendshme në debatin e tyre të tretë dhe të fundit. Senatori Obama nënvizoi gjatë debatit të tij se një administratë nën zotin Mekein nënkuptonte 8 vjet të tjera me të njëjtat politika si administrata e Presidentit Bush, kur është fjala për çështjet thelbësore.

Senatori Mekejn i hodhi poshtë përpjekjet e zotit Obama për t’i lidhur politikat e tij me ato të administratës së presidentit Bush. “Unë nuk jam Presidenti Bush,” tha ai. Kandidati republikan tha se ai ka pasur një numër mosmarrëveshjes me adminsitratën aktuale për një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë torturat dhe mënyrën si duhet zhvilluar lufta në Irak. Senatori republikan e akuzoi zotin Obama gjithashtu se nuk kishte arritur të mbante qëndrim ndaj krerëve të partisë së tij kur ishte nevoja. Zoti Mekejn tha se ndryshe nga senatori Obama, ai nuk kishte rënë dakort me administratën e presidentit Bush rreth disa çështjeve të rëndësishme si tortura dhe mënyra se si duhet udhëhequr lufta në Irak. Në përgjigje të këtyre akuzave, Senatori Obama tha se ai kishte punuar si me republikanët ashtu edhe me demokratët.

Debati përfshiu edhe temën e sigurimit të pavarësisë energjetike të Amerikës. Zoti Mekein tha se Shtetet e Bashkuara mund të eliminojnë varësinë nga nafta e importuar nga Lindja e Mesme dhe Venezuela brenda një periudhe prej 7-10 vjetësh. Ai theksoi përsëri planin e tij për 45 centrale të reja bërthamore, si dhe për investime në energjinë alternative si dhe në teknologji moderne për qymyrgur të pastër.

Zoti Obama dha parashikimet e tij për një periudhë 10 vjeçare për të përgatituar Amerikën që të dalë nga varësia e naftës së huaj. Ai theksoi nevojën për të zgjeruar prodhimin në vend, duke shtuar se megjithëse duhet të shqyrtohet mundësia e shpimeve në det, përparësia duhet të jetë energjia e ripërtëritshme, si ajo e erës, diellore dhe bio-karburet.

Mes temave të tjera në debat, senatori Mekejn ei doli në mbrojtje zgjedhjes së guvernatores së Alaskës Sara Pejlin, di kandidate e tij për nënpresidente, për të cilën kritikët kanë thënë se nuk ka eksperiencë të mjaftueshme për një post kaq të lartë. Zoti Mekejn e quajti zonjën Pejlin një grua model për femrat dhe një reformatore të përkushtuar. Ai e lavdëroi punën e saj si guvernatore të Alaskës duke thënë se ajo kishte shkurtuar taksat për banorët e këtij shteti dhe kishte zvogëluar qeverinë.

Zoti Obama, nga ana e tij, tha se zonja Pejlin është politikane e zonja, por që u takon votuesve të vendosin nëse ajo është e kualifikuar sa duhet për të qenë presidente. Senatori Obama tha se ai dhe kandidati që ka zgjedhur ai për nënpresident, Xho Bajden, janë të një mendjeje që qeveria duhet t’i rishqyrtojë përparësitë e saj. Senatori Obama e lavdëroi senatorin Bajden për karrierën e tij. Ai tha se zoti Bajden do të ishte një president i jashtëzakonshëm nëse do të ishte nevoja. Senatori Mekejn tha se zoti Bajden ishte i kualifikuar për postin në shumë aspekte, por se ai ishte gabuar në lidhje me shumë çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare.

Në lidhje me çështjet ekonomike, senatori Obama premtoi të eliminonte programet e panevojshme qeveritare për të ndihmuar kalimin e krizës financiare, ndërsa zoti Mekejn tha se do të pezullonte shpenzimet qeveritare. //ad//

XS
SM
MD
LG