Lidhje

SHBA: Zgjedhjet presidenciale dhe votuesit e rinj


Ekspertët e politikës po parashikojnë një pjesëmarrje rekord të votuesve të rinj në zgjedhjet presidenciale të 4 nëntorit. Kandidati demokrat Barak Obama dhe republikani Xhon Mekejn kanë bërë shumë përpjekje për të bërë për vete më shumë se 40 milionë amerikanë të moshës 18 deri 30 vjeç. Në vitin 2004 nuk iu dha shumë rëndësi votës së rinisë dhe kjo ndoshta ishte edhe një arsye që numri i të rinjve që votuan në zgjedhjet presidenciale ishte 20 milionë vetë.

Ndërkohë që gara për Shtëpinë e Bardhë ka hyrë në fazën e saj përfundimtare, ekspertët thonë se fushatat e të dy kandidatëve po tërheqin më shumë brezat e rinj. Më se 40 milionë amerikanë mes moshës 18 dhe 30 vjeç kanë të drejtën të votojnë. Republikani Xhon Mekejn dhe demokrati Barak Obama po përpiqen të fitojnë votën e kësaj grupmoshe. Dhe të rinjtë po u përgjigjen atyre me entuziazëm. Në Universitetin Xhorxhtaun, studenti Xhejson Star thotë se të rinjtë janë mërzitur dhe duan t’i ndryshojnë gjërat.

“Të ndryshojnë jo vetëm politikat, por të ndryshojnë sistemin që i bën këto politika. Mendoj se kjo ka shumë rëndësi për të rinjtë.”

Një studim i fundit tregon se 55 përqind e votuesve të rinj përkrahin senatorin Obama, ndërsa 32 përqind janë me senatorin Mekejn. Megjithatë, si demokratët, ashtu edhe republikanët po luftojnë për të siguruar votën e të rinjve. Aleksandra Ejkërs është drejtore ekzekutive në kompaninë private Demokratët e Rinj të Amerikës. Ajo thotë se të rinjtë i shqetëson më shumë rritja e çmimeve në shkolla dhe kujdesi shëndetësor.

“Ne jemi brezi më i pasiguruar në Amerikë. Prandaj, pagesa për çmimet në rritje të kujdesit shëndetësor është çështje shqetësuese për ne. Por, të rinjtë shqetësohen edhe për luftën në Irak.”

Ajo thotë se shumica e demokratëve të rinj duan që t’i jepet fund luftës. Lesli Ratlexh është anëtare e shoqatës Republikanët e Rinj. Ajo thotë se të rinjtë kanë të njëjtin qëndrim me çështjet e parashtruara nga Xhon Mekejn, sidomos kur bëhet fjalë për Irakun.

“Ata duan që bashkëmoshtatarët e tyre që janë në Irak t’i kenë mjetet e duhura për ta kryer misionin dhe për t’u kthyer në atdhe me nder.”

Studenti nga Xhorxhtaun Xhimi Rollins thotë se të dy kandidatët i kanë frymëzuar amerikanët e rinj.

“Zoti Obama sjell me të vërtet një mesazh ndryshimi, por edhe zoti Mekejn, meqenëse ka qenë republikan më i moderuar, ka tërhequr votues të rinj.”

Të rinjtë përdorin internetin, faqe si “Facebook” dhe “MySpace” për të nxitur miqtë e tyre të votojnë. Prandaj edhe kandidatët po i përdorin këto faqe dhe fushatat e tyre në internet për t’u lidhur me votuesit e rinj. Toni Kani është pjesëtar i shoqatës Demokratët e Rinj të Amerikës. T

“Ne e dimë se një reklamë televizive nuk do të ketë ndikim për t’i bërë njerëzit të votojnë. Por ne e dimë se shoqëria ka ndikim tek njezërit, pra komunikimi mes të rinjve mund t’i nxisë ata të marrin pjesë në votime.”

Por a do të shohim një numër shumë të madh të rinjsh të marrin pjesë në votime?

“Ka shumë mundësi që të gjithë të rinjtë të dalin për të votuar,” thotë kjo studente e Universitetit Xhorxhtaun. //bsa//

XS
SM
MD
LG