Lidhje

Këshilltari ekonomik i Presidentit Bush, optimist për të ardhmen


Këshilltari më i lartë i presidentit Bush për ekonominë thotë se Shtetet e Bashkuara po tregojnë një dinamikë të pabesueshme gjatë kësaj periudhe tepër të vështirë financiare.

Gjatë javëve të fundit indekset e aksioneve në bursën amerikane humbën afro 1 të tretën e vlerës pasi firma të fuqishme financiare në vend falimentuan, apo u blenë nga firma të tjera. Ndërkohë vazhdon konfiskimi i shtëpive nga bankat, si rezultat i kredive të pashlyera, ndërthurur me rritjen e papunësisë dhe rënien e shpenzimeve të konsumatorëve. Rritja ekonomike është ngadalësuar ndjeshëm dhe ekonomistët pohojnë se vendi po shkon ose është në recesion.

Shefi i Këshilltarëve Ekonomikë të presidentit Bush, Ed Lazear gjithsesi shprehet me optimizëm:

"Kjo është një ekonomi tepër dinamike. Kemi përjetuar një numër tronditjesh në tregun e shtëpive, kemi parë çmimet e naftës të arrijnë në afro 150 dollarë për fuçi gjatë verës, tregjet e kredive janë shtrënguar. Të gjitha këto zhvillime janë shumë të vështira për t’u përballuar, megjithatë ekonomia i ka kapërcyer."

Zoti Lazear i bëri komentet në një intervistë për emisionin “Late Edition” të rrjetit CNN. Ai shtoi se vazhdimi i vështirësive në tregun e kreditimit do të sjellë probleme në muajt e ardhshëm, që do të shoqërohen edhe me rritjen e papunësisë:

"Disa pjesë të vendit kanë ritme shumë më të larta papunësie dhe po vërejmë tregues në disa zona që mund të karakterizohen si shenja recesioni. Por ka shpresa se hapat e marra do të ndikojnë për ta ndryshuar gjendjen për të mirë."

Këto hapa përfshijnë paketën masive në ndihmë të sektorit financiar që Presidenti e nënshkroi në ligj në fillim të muajit. Javën e kaluar, Presidenti deklaroi se qeveria federale do të blinte aksione nga bankat në vështirësi për t’i ushqyer këto banka me kapital në mënyrë që ta kenë më të lehtë të japin kredi, me qëllim që konsumatorët dhe bizneset të angazhohen në veprimtari ekonomike. Zoti Lazear tha se janë vërejtur shenja se bankat janë të gatshme t’i japin hua njëra-tjetrës, gjë që, sipas ekonomistit përbën hapin e parë në përmirësimin e tregut të kreditimit.

Ed Lazear, Shefi i Këshilltarëve Ekonomikë të presidentit Bush, thotë se deficiti federal i Shteteve të Bashkuara do të rritet në muajt e ardhshëm, por parashikon se do të zvogëlohet përsëri nëse ekonomia fillon të rritet me ritme më pozitive dhe nëse shpenzimet qeveritare nuk dalin jashtë kontrollit. //ad//

XS
SM
MD
LG