Lidhje

Frid: Rusia nuk po zbaton marrëveshjen e armëpushimit me Gjeorgjinë


Një zyrtar i lartë amerikan që ndodhet për vizitë në Gjeorgji tha se Rusia nuk po e zbaton marrëveshjen e armëpushimit që i dha fund konfliktit pesë ditor mes forcave ruse dhe atyre gjeorgjiane.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, tha sot në kryeqytetin e Gjeorgjisë Tbilisi, se marrëveshja e armëpushimit e nënshkruar muajin e kaluar kërkon që forcat ruse të tërhiqen në pozicionet që mbanin para konfliktit.

Moska kishte rreth 3000 forca në Osetinë Jugore dhe në Abkazi kur dërgoi mijëra trupa të tjera më 7 gusht në Gjeorgji, pasi ushtria gjeorgjiane u përpoq të merrte nën kontroll Osetinë e Jugut. Më shumë se 700 trupa ruse gjenden tani në rajon.

Ndërkaq, Presidenti rus Dmitri Medvedev i kërkoi parlamentit të ratifikojë traktatet për bashkëpunim dhe partneritet me rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

Në faqen elektronike të presidentit thuhet se dokumentat iu dërguan Dhomës së Ulët të Parlamentit me shënimin se legjislacioni ka një përparësi të veçantë politike.

Legjislatura premton se Rusia do të përdorë forcën ushtarake në se është e nevojshme për të mbrojtur të dyja rajonet gjeorgjiane.

Në zhvillime të tjera, agjencitë ruse dhe gjeorgjiane të lajmeve thonë se policia në Osetinë Jugore është urdhëruar të kundërpërgjigjet në se sulmohet. Osetia Jugore e nxorri urdhërin pasi një postbllok u sulmua me automatikë të shtunën nga fshati kufitar gjeorgjian i Nikozisë. //iç//

XS
SM
MD
LG