Lidhje

Sfidat e kujdesit shëndetësor në vendet e zhvilluara


Rritja e jetëgjatësisë është një nga historitë më të suksesshme të kohëve tona, por me çfarë çmimi vjen ajo? Ndërsa kostoja e kujdesit shëndetësor tani në botën e zhvilluar e kalon rritjen ekonomike, ekspertët thonë se cilësia e kujdesit shëndetësor është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet bota jonë. Në pjesën e parë të një serie të Zërit të Amerikës mbi çështjet shëndetësore, korrespondentja Ivana Kuhar i hedh një vështrim prirjeve të kujdesit shëndetësor në vendet e zhvilluara.

Zyra amerikane për Regjistrimin e Popullsisë njofton se numri i njerëzve në moshën mbi 65 vjeçare është më i larti i regjistruar ndonjëherë në histori. Por ndërsa përparimet në teknologji dhe mjekësi po zgjasin jetëgjatësinë, kërkesat në rritje të pacientëve për shërbime po shtojnë trysninë mbi sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën.

Ndihmës sekretari amerikan për Shëndetin Joxel Garsia:

"Bota ka sot mbi 6 presje 5 miliardë njerëz dhe pritet që ky numër të vazhdojë të rritet. Një segment i madh i popullatës është në fazën e pleqërisë – pra në moshën mbi 65 vjeçare".

Raporti i CIA’s, The World Factbook, thotë se në maj të 2008ës, 22 përqind e 127 milionë banorëve japonezë ishin mbi 65 vjeç. Evropa Perendimore është pranë këtyre shifrave - një në çdo pesë italianë apo gjermanë janë mbi moshën 65 vjeçare. Kjo shifër është 18 përqind për Bullgarinë dhe Kroacinë të cilat janë në krye të Evropës Lindore për nga plakja. Shtetet e Bashkuara kanë përqindjen më të ulët të kësaj grupmoshe për vendet e zhvilluara - 12 presje 5 përqind.

Një popullsi e plakur është një sukses i madh në vetvete – pra njerëzit jetojnë më gjatë. Por kostoja e kujdesit shëndetësor është rritur shumë. Shpenzimet për kujdesin shëndetësor janë përbërësi kryesor i buxhetit të konsumatorit amerikan, pra më shumë se sa strehimi apo ushqimi.

Dr. Garcia thotë se rritja e kostos të shërbimit shëndetësor përbën një sfidë për kujdesin shëndetësor në mbarë botën.

"Ky është bërë një problem i madh për të gjitha vendet përsa i përket politikave dhe përballimit të ndryshimeve".

Shpenzimet për shëndetin në zonën e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik e kalojnë rritjen ekonomike me 2 përqind, duke lënë gjithnjë e më pak para për të mbuluar shpenzimet e tjera.

Rezerva Federale amerikane njofton se 25 përqind e shpenzimeve të përgjithshme federale shkojnë tani për programet e shëndetit. Deri në vitin 2050, ato do të kapin gati gjysmën e shpenzimeve federale.

Firma e konsulencës McKinsey, parashikon për kujdesin shëndetësor në Londër, se në vitit 2100, Britania do të shpenzojë 66 përqind të prodhimit të brendshëm bruto për kujdesin shëndetësor, në se nuk shkurton shpenzimet në këtë fushë.

Ndihmës Sekretari i Shëndetësisë Garcia thekson se nuk janë vetëm procedurat e shtrenjta mjekësore ato që ngrenë koston. Ai thotë se kujdesi i çdo njeriu për vetveten është me shumë rëndësi për të ulur çmimin e kujdesit shëndetësor.

"Shumë njerëz në botë mendojnë se do të ketë gjithmonë një mjekim, një procedurë apo një ndërhyrje që do t’i ndihmojë kur të sëmuren. Por ne vetë duhet të jemi më të përgjegjshëm, të ushqehemi më mirë, të bëjmë ushtrime fizike dhe të pakësojmë duhanin".

Edukimi për shëndetin, programet për mirëqënien e punonjësve dhe parandalimi, luajnë një rol të madh në uljen e shpenzimeve të përgjithshme të shëndetësisë, thotë doktor Garcia.


XS
SM
MD
LG