Lidhje

Sa kushton të rrisësh një femijë në Amerikë?


Të rritësh një fëmijë në Shtetet e Bashkuara kushton shumë. Departamenti amerikan i Bujqësisë vlerëson se një familjeje me të ardhura mesatare i kushton më shumë se 200 mijë dollarë për të rritur një fëmijë deri në mbarim të shkollës së mesme. Ky vlerësim përfshin shpenzimet e strehimit, ushqimit dhe kujdesit shëndetësor. Po t’i shtosh edhe shkollën e lartë, shpenzimet rriten shumë.

Pak gjëra janë më të gëzueshme se sa lindja e një fëmije por edhe financiarisht më të kushtueshme për prindërit. Departamenti amerikan i Bujqësisë vlerëson se shpenzimet për një familje me të ardhura mesatare për të rritur një fëmijë deri në moshën 18 vjeç janë rreth 204 mijë dollarë.

Ollga Ryzhyk, emigrante nga Ukraina, është këshilltare financiare. Ajo këshillon familjet se si të përballojnë gjërat e papritura në jetë, duke blerë sigurim për jetën, pra për të patur siguri financiare nëse njëri nga prindërit vdes papritur.

“Nuk e di pse, por shumë njerëz mendojnë se do të jetojnë përgjithmonë. Kam pasur shumë raste kur njerëzit janë penduar që nuk e kanë bërë këtë.”

Agjencia Studimet e Kujdesit Shëndetësor vlerëson se një grua shpenzon rreth 7 mijë dollarë për kujdesin shëndetësor gjatë shtatzanisë dhe për spitalin. Shumë këshilltarë financiarë rekomandojnë që familja të ketë një buxhet shëndetësor për të mbuluar pagesat gjatë shtatzanisë dhe për lindjen.

Shumë prindër të rinj habiten se sa sende të shtrenjta duhen për fëmijët: sedilje të veçanta për makinë, shtrat, karrocë dhe rroba. Për të mos harxhuar para, shumë prindër shkëmbejnë mes tyre. Bik dhe burri i saj Brendon, të cilët jetojnë në Uashington, i kërkuan ndihmë familjes dhe miqve.

“Unë kam motra që kanë fëmijë më të mëdhenj. Ata na dhanë disa nga lodrat e tyre.”

Bik dhe Brendon punonin të dy para se të kishin fëmijën e tyre të parë. Pastaj ata duhet të merrnin një vendim, që njëri të rrinte në shtëpi për t’u kujdesur për foshnjën apo ta dërgonin në çerdhe. Çmimet e çerdheve ndryshojnë shumë në varësi të të ardhurave. Shoqata Kombëtare për Gjetjen e Çerdheve dhe Agjencitë e Referimit vlerëson se çerdhja ose kopshti mund të kushtojnë deri në 14 mijë dollarë në vit. Po të marrësh një grua në shtëpi, siç bënë Bik dhe Brendi, kushton edhe më tepër. Por ata të dy marrin ndihmë edhe nga familja.

“Ne jemi shumë me fat. Kemi shumë pjesëtarë të familjes këtu: nëna ime, babai dhe motrat. Kemi shumë ndihmë prej tyre.”

Por jo të gjitha lajmet financiare janë të këqia. Ryzhyk thotë se qeveria amerikane ofron disa shkurtime taksash për prindërit që kanë fëmijë, për sejcilin fëmijë deri në moshën 17 vjeç.

“Qeveria federale i ndihmon prindërit duke u ulur taksat. Zakonisht është rreth 6 mijë dollarë për fëmijë.”

Krijimi i familjes konsiderohet si një nga gjërat më të bukura në jetë. Por shumë këshilltarë financiarë paralajmërojnë se pa planifikimin e duhur, fëmija i sapolindur që sjell gëzim mund të sjellë vëshirësi financiare më vonë.//rd//

XS
SM
MD
LG