Lidhje

Ekspertët flasin mbi të ardhmen e ndihmës amerikane për Ballkanin


Kandidatët presidencialë këtu në Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do ta bëjnë më të efektshme ndihmën amerikane për vendet e tjera. Kolegu Erjon Kruja i hedh një vështrim ndryshimeve të mundshme në këtë fushë dhe të ardhmes së ndihmës amerikane për rajonin e Ballkanit.

Të dy kandidatët presidencialë kanë deklaruar se kanë plane ta bëjnë më të efektshme ndihmën amerikane për jashtë.

Partia republikane thotë se administrata e zotit Mekein do të rishqyrtonte Aktin Për Ndihmën e Jashtme të vitit 1961 i cili krijoi edhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.
Sipas analistëve, ligji, i cili i krijua gjatë Luftë së Ftohtë duhet të reformohet për t’ju përshtatur sfidave të shekullit të 21-të.

Senatori Mekein ka thënë se administrata e tij do të garantojë më shumë efektshmëri të ndihmës së jashtme amerikane, do të eliminojëshpërdorimine kësaj ndihme e do të shtojë ndihmën në zonat ku ka pasur rezultate të qarta.

Nga ana e tij, senatori Obama ka shpalosur plane për të krijuar një agjenci që do të përqendrohej te varfëria, agjenci e cila do të kishte një përfaqësues në kabinetin e tij. Zoti Obama po kështu ka në plan të krijojë një Organizatë për Ndihmën Civile e cila do të përbëhet nga mjekë, inxhinerë dhe specialistë civilë vullnetarë të cilët do të ndihmonin në misionet e rindërtimit dhe stabilizimit në vendet e dala nga konflikti.

Të dy kandidatët janë zotuar se ndihma e jashtme amerikane do të vazhdojë të jetë pjesë e objektivave të tyre në administratën e re. Por, kriza ekonomike amerikane dhe plani gjigand financiar për të nxjerrë nga kriza financat pritet të ndikojnë mbi politikat amerikane.

Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Xhon Bollton, i cili punon në Institutin American Enterprise, thotë se gjendja ekonomike këtu në Shtetet e Bashkuara do të ndikonte tek ndihma amerikane për botën.

“Shpenzimet e qeverisë amerikane për planin financiar do të sjellin uljen e shpenzimeve në të gjitha fushat. Mund të them se do të kemi një konkurencë shumë të fortë për burimet financiare në vitin e parë të administratës së re dhe çdokush duhet të jetë i shqetësuar se ndihma amerikane për vendet e tjera nuk do mund të mbahet në nivelet e mëparshme”.

Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh dypalësh për Kosovën. Që prej vitit 1998, Uashingtoni e ka ndihmuar Kosovën me më shumë se 1.2 milardë dollarë të cilat janë shpenzuar për ndërtimin institucional dhe krijimin e një ekonomie të qëndrueshme në vend.

Në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të japin një kontribut të rëndësishëm nëpërmjet USAID-it në fushat e rritjes ekonomike, qeverisjes së mirë dhe zhvillimit profesional.

Në Këshillin Amerikan për Marëdhënie me Jashtë, Çarls Kapçën, ish zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Klinton, i cili këshillon vazhdimisht fushatën e zotit Obama, thotë se pritet të ketë ulje në shpenzimet amerikane të cilat do të preknin edhe ndihmën e jashtme dhe do të vështirësonin dhënien e ndihmave për rajonin e Ballkanit. Por, zoti Kapçën nuk pret rënie të mëdha të këtyre ndihmave.

“Të dyja partitë në Kongres janë të mendimit se rajoni nuk duhet të bëjë hapa prapa dhe besoj se Evropa juglindore nuk duhet të shqetësohet se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga zotimet e tyre”.

Analistët besojnë se shumë gjëra do të ndryshojnë në politikat amerikane pas zgjedhjeve të nëntorit. Por Ballkani duket se do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm edhe në administratën e ardhshme amerikane. Për Zërin e Amerikës, Erjon Kruja, Uashington. //iç//

XS
SM
MD
LG