Lidhje

Ende në pikëpyetje projekt-marrëveshja për praninë amerikane në Irak


Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje qeverisë irakiane ta pranojë projekt-marrëveshjen e finalizuar javën e kaluar mbi të ardhmen e pranisë së trupave amerikane në atë vend. Kabineti irakian tha të martën se kërkonte ndryshime në këtë marrëveshje, por zyrtarët amerikanë thanë se ende nuk kanë marrë propozime për ndryshime.

Zyrtarë të administratës së presidentit Bush nuk e kanë fshehur irritimin e tyre në lidhje me kahjen që kanë marrë përpjekjet për përfundimin e marrëveshjes së sigurisë, dhe kanë paralajmëruar se do të ketë pasoja të rënda nëse marrëveshja nuk arrihet deri në fund të vitit. Shtetet e Bashkuara dhe Iraku i dhanë fund tetë muaj negociatash javën e kaluar me një marrëveshje që caktonte vitin 2011 si datën për tërheqjen e forcave amerikane dhe që rregullonte zgjidhjen e çështjeve të jursidiksionit për krimet e kryera nga trupat amerikane.

Por të martën, kabineti i Irakut tha se do të kërkonte ndryshime në këtë marrëveshje dhe se kishte rënë dakort për një listë ndryshimesh të nevojshme. Duke folur me gazetarët këtu në Uashington, zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Robert Ud tha se Shtetet e Bashkuara ende nuk e kanë marrë propozimin për ndryshime. Ai tha se teksti i projekt-marrëveshjes së finalizuar javën e kaluar ishte i mirë sepse mbronte sovranitetin e Irakut dhe siguronte bazën ligjore për operimin e trupave atje, dhe se tani ishte koha që irakianët të merrnin një vendim.

“Ky është një tekst që është përgatitur nga negociatorët e të dy palëve. Është një tekst për të cilin udhëheqja irakiane ka pasur dijeni dhe ka ndjekur përparimin e tij. Dhe ne mendojmë se tani duhet vepruar, sepse nuk ka mbetur shumë kohë. Prandaj thamë se dera po mbyllej. Nuk është mbyllur ende tërësisht, por do të mbyllet sepse 31 dhjetori po afrohet. Dhe ne na duhet baza ligjore në mënyrë që forcat tona të mund të operojnë.”

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila autorizon praninë e trupave amerikane dhe trupave të tjera të huaja në Irak skadon me 31 dhjetor. Nëse nuk miratohet një marrëveshje dypalëshe për forcat ose nëse Këshilli i Sigurimit nuk e zgjat rezolutën në fuqi, atëherë trupat amerikane do të duhet t’i ndalin të gjitha operacionet deri në fund të vitit.

Duke folur në Letoni, kreu i shtatmadhorisë amerikane, admirali Majkëll Mulen, u bëri thirrje irakianëve të mendohen mirë para se ta hedhin poshtë marrëveshjen. Ai tha se forcat irakiane nuk do të jenë në gjendje t’i kundërvihen dhunës së kryengritësve dhe terroristëve pas këtij viti pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Një diplomat i lartë amerikan i cili dha komente për gazetarët në Departamentin e Shtetit tha se mungesa e një marrëveshjeje do t’u kërkonte forcave amerikane të mos bënin asnjë veprim, dhe mes të tjerash, të mos u siguronin as mbrojtjen që kanë dhënë deri tani zyrtarëve të lartë irakianë. Ai nuk e hodhi poshtë tërësisht mundësinë që Shtetet e Bashkuara t’i marrin në konsideratë ndryshimet e projekt-marrëveshjes. Por tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’u përgjigjen njoftimeve të lajmeve se çfarë mund të dojë Iraku apo siç tha ai të bëjnë negociata nga podiumi.

Zëdhënësi Robert Ud nuk pranoi t’ia atribuonte kundërshtimin ndaj projekt-marrëveshjes të anëtarëve të kabinetit irakian presionit në prapaskenë të Iranit fqinj, megjithëse tha se Teherani nuk ka luajtur rol pozitiv në përgjithësi në Irak.

Gjithsesi, në Pentagon, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes Xhef Morel tha se është e qartë se ka përpjekje nga ana e qeverisë iraniane për ta minuar marrëveshjen. Zoti Morel tha se Teherani e ka bërë të njohur pakënaqësinë e tij në lidhje me marrëveshjen, dhe është përpjekur të ndikojë tek irakianët në mënyra të ndryshme, duke përfshirë përpjekjet për orkestrimin e protestave të opozitës apo dhënien rryshfetesh tek politikanët irakianë. //ad//

XS
SM
MD
LG