Lidhje

Vazhdojnë shqetësimet rreth një recesioni të mundshëm global


Shqetësimet rreth një recesioni të mundshëm global kanë trëmbur investitorët dhe bënë që çmimet e aksioneve të bien ndjeshëm në gjithë botë

Aksionet në tregjet amerikane shënuan rënie në hapje të tregut sot.

Investitorët aziatikë reaguan negativisht ndaj raporteve zhgënjyese mbi fitimet nga kompanitë më të mëdha. Indekset kryesore në Japani dhe Hong Kong humbën më shumë se 8 për qind të vlerës.

Edhe tregjet evropiane pësuan sot rënie të ndjeshme, duke humbur deri në mesditë 7 për qind ose më shumë të vlerës, pas njoftimit të një raporti se ekonomia britanike është në prag të recesionit. Ky raport vë në dukje se ekonomia ra me 0,5 për qind gjatë 3 mujorit të tretë të vitit, hera e parë e një zhvillimi të tillë në ekonominë britnaike në 16 vjet.

Ndërkohë, tregjet e aksioneve të Rusisë, të goditura rëndë, ranë më shumë se 10 për qind, duke bërë që zyrtarët të pezullonin këmbimet në indeksin MICEX.

Në këmbimet e monedhës, dollari amerikan ka arritur në nivelin më të ulët në 13 vjet përkundrejt jenit japonez.

Presidenti Bush ka ftuar udhëheqës të vendeve të pasura dhe kryetarë ekonomish të mëdha për një takim të nivelit të lartë më 15 nëntor, i cili do të përqëndrohet në krizën financiare globale.

Dje, Ish-kreu i Bankës Qendrore, Alan Grinspan, e quajti krizën aktuale financiare një “cunami kredish që ndodh vetëm një herë në 100 vjet”. Ai e bëri këtë koment gjatë një dëshmie në njërën prej seancave të Kongresit qëu mbajt për të zbuluar shkaqet e krizës financiare dhe për të parandaluar përsëritjen e saj.

Zoti Grinspan e drejtoi Bankën Qendrore për mbi 18 vjet dhe në përgjithësi ishte kundër rregullave më të forta ndaj shërbimeve financiare. Por tani ai thotë ka ardhur koha për një kontroll më të fortë ndaj kompanive të financave dhe parashikon një rritje të konsiderueshme të papunësisë. (ze)

XS
SM
MD
LG