Lidhje

Kriza, nervozizmi i investitorëve dhe tregjet financiare


Tre javë më parë Kongresi amerikan miratoi pakën historike të shpëtimit financiar prej 700 miliard dollarësh. Por kreditorët dhe investitorët vazhdojnë të jetë të pasigurt për të ardhmen. Treguesi kryesor i bursës Dau Xhons vazhdon lëkundjet e pakontrolluara për shkak të nervozizmit të investitorëve, të cilët presin të shohin se ç’drejtim do të marrin zhvillimet në ekonomi. Por ç’farë mendojnë ekspertët rreth këtyre lëkundjeve dhe të tregut dhe ç’duhet bërë, sipas tyre, për të rivendosur qendrueshmërinë.

Për javë të tëra, nervozizmi ka përfshirë agjentët, tregtarët dhe investitorët e bursave ndërkohë që këto kanë shënuar nivele historike të uljes apo ngritjes.

Më 29 shtator, Treguesi kryesor i bursës Dau Xhons ra 777 pikë, rënia më e madhe ditore në histori.

Më pas, më 13 tetor, ky tregues pati një rritje prej 936 pikësh. Që atëhere, Dau Xhonsi vazhdon lëkundjet e forta.

Barry Wood, korrespondent i Zërit të Amerikës për çështjet ekonomike, thotë se falimentimi i firmave gjigande të investimeve, si Bear Stearns, shkaktoi panik, i cili solli më pas rënien e shpejtë në vlerën e aksioneve.

"Ka patur disa rënie të cilat kanë qenë marramendëse. Njerëzit nuk e dinë nëse aksionet, të cilat kanë rënë 45% nga vlera maksimale e vitit të kaluar, kanë arritur tashmë fundin apo do të bien edhe më."

Ai thotë se ka qenë ankthi ai që ka çuar në paqendrueshmërinë e tregut.

"Pra, pasiguria, frika, e gjithë kjo ka sjellë paqendrueshmëri. Njerëzit gjithashtu kanë nevojë për para prandaj ata shesin aksione nëse kanë të tilla. E gjithë kjo ndikon në paqendrueshmërinë."

Bill Barker është analist pranë firmës Motley Fool, që jep këshilla financiare për klientët.

Edhe ai mendon se nervozizmi rreth hollësive të planit qeveritar të shpëtimit financiar ka çuar në rënien e bursës së aksioneve.

"Kur paketa financiare u shfaq përherë të parë si një ide e shprehur në një dokument prej tre faqesh, aty flitej se qeveria do të blinte kreditë e këqia nga bankat. Pas një jave apo një jave e gjysmë, kur u hodh në votë, ajo ishte shndërruar në një dokument prej qindra faqesh që përfshinte një paragraf rreth injektimit nga qeveria të parave nëpër banka. Forma ndryshoi me shpejtësi. Kjo është njëra nga arësyet që tregu e pëlqeu këtë njërën ditë dhe reagoi negativisht ditën tjetër."

Zoti Barker thotë se investitorët duan një sistem financiar amerikan të stabilizuar që bankat ta kenë më të lehtë për të ofruar kredi.

"Tregjet e kreditit po zhbllokohen por nuk po funksionojmë ashtu siç do t’i dëshironim ne. Kur kjo të arrihet, kur si kompanitë edhe individët të mund të marrin kredi si më parë, gjërat do të përmirësohen."

"Ajo që na duhet më shumë është stabiliteti, një periudhë disa javëshe ku të mos kemi ndonjë falimentim banke apo kompani financiare në vështirësi."

Analisti Bill Barker thotë se shumë investitorë do të bënin mirë të merrnin shembull nga miliarderi amerikan Warren Buffett, i cili tregohet i kujdesshëm në investime dhe tani po i këshillon të tjerët të ruajnë qetësinë. Ai tani po ble aksione kompanish me cilësi të lartë por të cilave tani u ka rënë vlera.

Kjo është një mënyrë investimi e cila për të ka patur sukses. Në gjysmën e patë të vitit 2008, Buffett u klasifikua nga revista Forbes si njeriu më i pasur i botës me një pasuri neto prej 62 miliard dollarësh. //ii

XS
SM
MD
LG