Lidhje

SHBA: Demokrati Barak Obama kryeson në anketimet e fundit


Në garën presidenciale amerikane, një sërë anketimesh të fundit nxjerrin demokratin Barak Obama në epërsi ndaj kundërshtarit të tij republikan Xhon Mekein. Të dy kandidatët vazhduan dje fushatën me fokusin tek ekonomia, e cila është edhe çështja më me interes për votuesit amerikanë sivjet.

Senatori Obama vazhdoi fushatën në shtetin e Indianës. Hera e fundit kur ky shtet votoi për një kandidat demokrat ishte në zgjedhjet e vitit 1964. Anketimet e fundit në Indiana, shtet i cili hyn në grupin e dhjetë shteteve kyçe për zgjedhjet, nxjerrin senatorin Obama me një avantazh prej dhjetë pikësh ndaj senatorit Mekein. Por anketimet e tjera tregojnë se gara është më e fortë se kaq. Gjatë një takimi me zgjedhësit në kryeqytetin Indianapolis, zoti Obama akuzoi zotin Mekein se po vë korporatat e mëdha përpara punëtorëve në planin e tij ekonomik.

"E kemi provuar atë që thotë zoti Mekein. E kemi provuar edhe me mënyrën e Xhorxh Bushit. Dhe tani kemi ardhur në këtë pikë, ‘Boll më! Nuk mund t’i lejojmë dot vetes edhe katër vite me parimet e tyre ekonomike.' Prandaj edhe unë po konkuroj për postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të përmirësuar gjendjen tuaj ekonomike!”

Zoti Obama do të tërhiqet nga fushata deri të shtunën pasi do të vizitojë gjyshen e sëmurë 85-vjeçare në shtetin e Hauait.

Megjithë rezultatet jo të mira të anketimeve kombëtare dhe atyre në shtetet kyçe, republikani Mekein vazhdoi të kritikojë planin ekonomik të zotit Obama, veçanërisht mbi çështjen e taksave. Zoti Mekein vazhdoi fushatën në shtetin e Floridas duke përmendur situatën e të ashtuquajturit Xho-Hidrauliku. Xho është një hidraulik nga shteti i Ohajos i cili kundërshtoi planin e taksave të zotit Obama gjatë një bisede që zhvilloi me senatorin demokrat gjatë fushatës. Zoti Mekein thotë se plani i Senatorit demokrat është një përpjekje e thjeshtë për të shpërndarë pasurinë, t’ua marrësh atë të pasurve dhe t’ua japësh të varfërve.

"Ne duhet të fitojmë më 4 nëntor dhe ne do të fitojmë. Ne do të fitojmë në Florida dhe do të sjellim ndryshimin e vërtetë në Uashington.”

Anketimi i fundit i Universitetit Kuinipiak i jep kandidatit Obama një epërsi prej 5 pikësh në shtetin e Floridas, shtet ky që u fitua nga presidenti Bush gjatë zgjedhjeve të fundit. Anketimet tregojnë se zoti Obama e ka shtuar avantazhin e tij në shtete kyçe si Ohaio, Pensillvania, Miçigani, Minesota dhe shteti i Uiskonsinit.

Sipas një faqeje interneti që merret me anketimet zoti Obama ka një avantazh prej 7 pikësh në rang kombëtar. Gjithnjë e më shumë analistë politikë thonë se zoti Obama po e ruan epërsinë e tij në garë. Ata thonë se zoti Mekein ka gjithnjë e më pak mundësi për ta ulur këtë epërsi gjatë ditëve të fundit të fushatës. Karlin Maumën monitoron opinionin publik amerikan në institutin American Enterprise në Uashington.

"Demokratët vazhdojnë të jenë përpara përsa i përket entuziazmit. Ata po fitojnë më shumë para nga donatorët. Ata fituan garën e përzgjedhjes për në Kongres dhe Senat. Dhe tani ata janë në avantazh në shumë fusha, veçanërisht në fushën e ekonomisë, prioriteti kryesor për votuesit për momentin. Dhe ata kanë një kandidat i cili preferohet nga gjithnjë e më shumë amerikanë.”

Të dy kandidatët do të fokusohen në të njëjtin numër të vogël shtetesh gjatë ditëve të fundit të fushatës, shtete njohur ndryshe si vendimtare për garën. Këto janë shtete si Ohajo, Florida, Mizuri që shpesh vendosin se kush do të jetë presidenti i ardhshëm amerikan. //ad//

XS
SM
MD
LG