Lidhje

Sallabanda: Firmosja e protokollit – vlerësim i madh për Tiranën


Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksandër Sallabanda tha se ceremonia e djeshme e firmosjes së protokollit të Natos ishte drejtpërsëdrejti një konsideratë dhe vlerësim shumë i madh për Shqipërinë nga ana e Presidentit Bush dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Kjo, tha ambasadori Sallabanda ishte vlerësim për ndryshimet e bëra në Shqipëri në ndërtimin e një demokracie funksionale, konsolidimin e një tregu të lirë dhe të shtetit ligjor.

Zoti Sallabanda tha se nuk ka asnjë problem që edhe 18 vendet e tjera ta ratifikojnë protokollin e anëtarësimit. Kushte nuk janë vënë nga ndonjë vend por çdo vend ka problemet e veta. Megjithatë, çdo vend ka bërë vlerësime për progresin që ka bërë Shqipëria, tha zoti Sallabanda. Jemi plotësisht të sigurt se ky proces do të mbyllet shumë shpejt dhe në samitin e Strasburgut, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e Natos.

I pyetur për kritikat e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Xhon Uidhers lidhur me ndërhyrjet e qeverisë ndaj prokurorisë, ambasador Sallabanda tha se në proceset demokratike, gjithmonë ka dialog dhe diskutime, ka edhe probleme që duhen diskutuar për të arritur zgjidhje të pranueshme. Nuk mund të ketë dy qendrime politike shtetërore (të ndryshme ndaj Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara), tha ambasadori. Dialogu i hapur në Tiranë nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e këtij procesi me problematikën që ka.

Ambasadori Sallabanda tha gjithashtu se arritja të dielën në Uashington e përfaqësuesve të parë diplomatikë nga Kosova të akredituar në SHBA, me siguri që do të përshpejtojë procesin e njohjes së mëtejshme të Kosovës sepse kjo do të rrisë sensitivitetin e përfaqësuesve të vendeve të ndryshme ndaj ngjarjeve në rajon dhe kjo do të shërbejë pozitivisht për Kosovën. //ii

XS
SM
MD
LG