Lidhje

Nju Jork: Gruaja shqiptare në një galeri fotografike


Një ekzpozitë fotografike në Nju Jork, sjell një këndvështrim origjinal për gruan shqiptare. Fotografi pas fotografie, punimet pasqyrojnë marrëdhëniet nënë-bijë, burrë-grua si dhe reflektime të grave për jetën dhe për mjedisin ku jetojnë. Kuratori i ekspozitës, Andamion Murataj, thotë se është mesazhi i fuqishëm i këtyre fotografive të realizuara nga gra dhe vajza shqiptare të panjohura që e ka frymëzuar të sjellë këtë mozaik në Nju Jork.



Andamion Murataj, i cili ka mbledhur këto fotografi, thotë se është ndoshta një zbulim i tij fakti që shumë gra dhe vajza shqiptare ekspozojnë apo shkëmbejnë në Internet fotografi të shumta artistike të realizuara prej tyre por që gjithsesi mbeten të panjohura.

“Njerëzit e familjes sime janë pothuajse të gjithë artistë. Duke ndjekur linket e ndryshme në Internet, si flicker apo face book, vura re se kishte shumë artiste shqiptare të cilat kanë mesazhe të forta në kuptimin e koncepteve fotografike”.

I nxitur nga kurreshtja, Andamioni vendosi t’i mbledhë këto imazhe të shpërndara andej-këndej në të gjithë botën.

“Kur i pashë imazhet, vura re se nuk ishte e rëndësishme bukuria e fotografive se sa mesazhi që përcjellin, megjithëse edhe imazhet janë të bukura.”

Kështu ai vendosi të krijojë një mozaik të këtyre fotografive, të realizuara nga gra e vajza që nga Turqia e deri në Kanada.

Një fotografi e dy vajzave që duken të lodhura, njëra me telefon celular, tregon se si ato rrezatojnë pjekuri të hershme.

Dy gra shqiptare të qeta por plot forcë janë fotografuar me mjeshtëri të rrallë dhe transmetojnë idenë e gruas në kontroll të punëve. Syve të tyre nuk u shpëton asgjë. Me një vështrim ato zotërojnë gjithë mjedisin përreth.

Portreti i një vajze nga Kosova i ngjan fotografisë së vitit 1905 të realizuar nga Lewis Hine, me titull Shqiptarja në Ellis Island.

Andamionin e ka befasuar ngjashmëria mes të dyjave. Ai shikon përveç bukurisë edhe vendosmërinë e kësaj vajze që shfaqet në sytë e saj përçues.

Mesazhi i forografive në këtë ekspozitë është ajo që e ka shtyrë Andamionin t’i mbledhë dhe t’i ekspozojë këto punime të cilat në Internet qarkullojnë për një audiencë relativisht të vogël:

“Vura re se ato kumtojnë civilizimin që i rrethon si një femër bashkëkohore që mund të jetë po aq amerikane, po aq kanadeze, zvicerane apo gjermane.” //ii

XS
SM
MD
LG