Lidhje

Mekein, Obama, fushatë në shtetet perëndimore në ditët e fundit para zgjedhjeve


Nëntë ditë para zgjedhjeve presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara, kandidatët Xhon Mekein dhe Barak Obama vazhdan të shtunën fushatën në pjesën perëndimore të Amerikës, vendimtare për Shtëpinë e Bardhë.

Sipas mesatares së anketimeve të ndryshme, kandidati demokrat Obama e ka rritur epërsinë e tij nga republikanit Mekein me 8 pikë. Anketimet po kështu tregojnë se kriza ekonomike e ka ndihmuar zotin Obama në garë. Të dy kandidatët vunë theksin mbi çështjet ekonomike gjatë fjalimeve të tyre dje.

Në qytetin jugperëndimor të Albakërkit në shtetin e Nju Meksikos, senatori Mekein tha se senatori Obama do të rrisë taksat e amerikanëve. Ai u bëri thirrje mbështetësve të tij të vazhdonin betejën për Shtëpinë e Bardhë megjithë rezultatet negative nga anketimet për Partinë Republikane.

"Ngrihuni, ngrihuni dhe luftoni. Ia vlen të luftosh për Amerikën. Asgjë këtu nuk është e paarritshme. Ne nuk heqim kurrë dorë. Ne nuk tërhiqemi kurrë. Ne kurrë nuk fshihemi prapa historisë, ne bëjmë histori. Tani le t’i fitojmë këto zgjedhje dhe ta çojmë përpara këtë vend. Zoti e bekoftë Amerikën!”

Zoti Obama vazhdoi fushatën në qytetin perëndimor të Rinos, Nevada ku përsëriti mesazhin e tij se politikat ekonomike të zotit Mekein janë të njëjtat me ato të presidentit Bush. Obama po kështu u tha pjesëmarrësve se zoti Bush të premten hodhi votën e tij të parakoshme për Xhon Mekein.

"Xhon Mekein ka votuar njësoj si Xhorxh Bush gjatë gjithë kohës. Gjithmonë. Për fat të mirë edhe presidenti Bush nuk ndjehet keq nga kjo. Dhe ai votoi pro Xhon Mekein për president. Kjo nuk është për t’u çuditur sepse kur bëhet fjalë për politikat ekonomike për shtresat e mesme nuk ekziston as ndryshimi më i vogël mes Xhorxh Bush dhe Xhon Mekein.”

Edhe kandidatët për nënpresident vazhduan dje fushatën. Republikania Sara Pejllin foli në shtetin e Ajuas ku kritikoi zotimet e senatorit Obama për të shpërndarë pasurinë.

"Kjo është zgjidhja mes një politikani si Barak Obama që do të shpërndajë paratë që ju mezi i keni fituar sipas prioriteteve të veta dhe një reformatori të vërtetë si Xhon Mekein që do të ulë taksat, do të hapë vende të reja pune dhe do ta çojë përpara ekonominë tonë.”

Nga ana e tij demokrati Xho Bajden vazhdoi fushatën në shtetin e Virxhinias, shtet ku asnjë kandidat demokrat nuk ka fituar që prej vitit 1964. Zoti Bajden akuzoi zonjën Pejllin se ajo ka lënë të kuptojë se njerëzit në shtete kryesisht republikane janë më patriotë se njerëzit në shtete kryesisht demokrate.

"Ne kemi mundësi të fitojmë shtetin e Karolinës së Veriut. Ky shtet është shumë patriot. Por kështu është edhe shteti nga vij unë Dellauer. Kështu është edhe Pensillvania. Edhe Kalifornia. Edhe Teksasi. Të gjithë amerikanët janë patriotë.”

Edhe bashkëshortja e zotit Obama mori pjesë në një fjalim të përjavshëm radiofonik të Partisë Demokrate. Ajo u bëri thirrje amerikanëve të votojnë për bashkëshortin e saj Barak. //aad//

XS
SM
MD
LG