Lidhje

Brenda Iranit: Libri i ri i një fotografi amerikan


Vitin e kaluar, në mes të tensioneve globale lidhur me ambicjet bërthamore të Teheranit, fotografi Mark Eduard Heris vizitoi Iranin, për të zbuluar se cilët janë në të vërtetë iranianët dhe çfarë jete bëjnë. Udhëtimi i fotografit çoi në botimin e albumit të parë bashkëkohor fotografik për një vend që Perëndimi e njeh fare pak dhe thuajse nuk e kupton aspak:

Mark Eduard Heris gjithmonë ka dëshirë të ndërthurë punën me argëtimin. Kurioziteti i tij artistik e ka çuar në vende nga më të pazakontat. Në vitin 2005, ai vizitoi Korenë e Veriut dhe botoi një libër me fotografi për këtë vend:

"Ishte në fakt fjalimi i Presidentit Bush për gjendjen e vendit në vitin 2002, kur Presidenti përmendi treshen e ashtu-quajtur Aksi i Së Keqes. Diçka nuk m’u duk në rregull, thjesht nga fakti që vende kaq të ndryshme ishin grupuar në një nomenklaturë të vetme. Së pari u përqendrova tek Koreja e Veriut."

Më pas, vitin e kaluar fotografi Harris e ktheu vëmendjen tek një tjetër pjetar i aksit, Irani:

"Doja të futesha në Iran dhe të shihja në realitet jetën në atë vend, në mënyrë që të ndaja të vërtetën nga retorika."

Ai qëndroi më shumë se 3 muaj në Iran, ku shëtiti pjesën qendrore të vendit si dhe zonat kufitare, në mënyrë që të krijonte një përshtypje sa më të saktë. Herën e parë që shkoi në këtë vend, Harris zhvilloi një shëtitje me avion. Kur u kthye herën e dytë, ai udhëtoi me makinë nga Deti Kaspik e deri në kanalin Shat-al-Arab.

"Kishte mungesa të theksuara karburanti, gjë që më çuditi shumë. Irani ka rezerva të mëdha nafte si pasuri nëntokësore, por nuk ka rafineri për përpunimin e saj. Prandaj detyrohet ta eksportojë naftën."

Si rezultat shumë fluturime ishin pezullar dhe u detyruam të udhëtonim me makinë, gjë që, tregon ai, më dha rastin të njihesha nga afër me njerëzit.

"Duke lënë mënjanë çështjet e ndërlikuara ndërmjet qeverive, dua të them se nuk gjen gjëkundi njerëz më fisnikë se iranianët. Ata janë shumë miqësorë, shumë të muhabetit. Në zona të ndryshme, por sidomos në qytete, ka plot njerëz që ndjehen shumë të irrituar nga politikat qeveritare. Më çuditi liria e të shprehurit, pasi kisha parë një tjetër realitet në Korenë e Veriut, ku njerëzit nuk guxonin ta shanin qeverinë."

Gjatë gjithë kësaj kohe, Harris fotografoi momente nga më të ndryshmet. Ai thotë se donte që me këto fotografi të tregonte realitetin e jetës në Iran:

"Në kopertinën e albumit shihet një vajzë e vogël që ka dalë në pazar me të ëmën, e cila është veshur me një shall të madh që mbulon kokën dhe supet, një veshje tradicionale në Iran, por në këmbë ka xhinse moderne dhe nën shall ka një bluzë me Miushin Miki. Pra një përzierje shumë interesante kulturash në veshje."

Fotografi tregon se arriti në përfundimin se gratë iraniane nuk janë aq të shtypura nga fanatizmi sa ç’kishte menduar ai. "Janë shumë të sofistikuara dhe të arsimuara. Më çuditi fakti që ishin tepër komunikuese."

Libri sjell edhe një pasuri të madhe arkitekturale të Iranit.

"Një ndër fotografitë e mia të preferuara është një fabrikë për prodhimin e kanës në Yazd. Në mjediset e brendshme futet dritave përmes xhamave në tavan të ndërtesës. Ndërkaq brenda një gur i madh bluan kanën duke shkaktuar një tymnajë të kuqe. Është një pamje thuajse surealiste. Në Shiraz fotografova një faltore aq magjepsëse, me xhama të gdhendur në çdo qoshe që reflektonin dritën. Bëra fotografi edhe tek një sinagogë hebraike. Pra ka një numër elementësh unikë arkitekturorë në këtë vend."

Fotografi thotë se kishte mbetur i habitur kur kishte parë ende relike të gjalla të luftës së viteve ’80, si në formë fizike edhe psikologjike.

"Në kanalin Shat-al-Arab shihen ende mbeturina të betejave detare të viteve 1980-1988 ndërmjet Iranit dhe Irakut. Ç’është më interesantja, kur bisedon me njerëzit, kujtimet e kësaj lufte janë ende shumë të freskëta në mendjet e tyre. Kjo luftë pati ndikim të madh në formulimin e politikave dhe në botëkuptimin e tyre."

Kineasti i njohur iranian Abaz Kirostami shkroi parathënien e librit, ku vlerëson syrin e jashtëzakonshëm të fotografit Mark Edward Harris për të zbuluar jetën në çdo subjekt fotografie. Harris thotë se e kënaq fakti që arriti ta realizojë një gjë të tillë, duke shtuar se udhëtimi në Iran ka përmbushur tek ai si egon e artistit, ashtu edhe kureshtjen e aventurierit. //ad//

XS
SM
MD
LG