Lidhje

Janush Bugajski: Kosova nuk duhet të bjerë në gjumë


Analisti i çështjeve europiane dhe ballkanike, Janush Bugajski, thote se hapja e ambasadave te Kosoves ne kryeqytetet perendimore eshte nje ngjarje shume e rendesishme per praninë e saj ne skenen nderkombetare. Zoti Bugajski thotë se Rusia do të dëshironte që Kosova të ishte një rast i ngrirë dhe që Serbia të mos integrohet në Europe, për ta patur atë si pikëmbështetje në rajon.

Sipas analistit Janush Bugajski, “Kosova nuk është më në krye të listës së problemeve të Ballkanit, por aktualisht është Bosnja, e cila ka tani disa vështirësi në funksionimin shtetëror dhe në rrugën drejt Bashkimit Europian. Së dyti është Maqedonia, e cila po përballet me kundërshtimet e Greqisë lidhur me emrin, temë që po mban pezull antarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian".

Nga ana tjetër, sa i takon Kosovës, “ajo ka patur disa zhvillime të rëndësishme; njohja nga Mali i Zi, njohja nga Maqedonia, pra, njohja nga shumica e fqinjëve. - thotë zoti Bugajski. - Hapi tjetër do të duhet të jetë një veprimtari më aktive ndërkombëtare për të shtuar numrin e vendeve që e njohin pavarësinë, dhe për t’u antarësuar në institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu ata duhet të parandalojnë ndonjë ndarje, për të cilat bëhet presion nga serbët”.

“Mendoj se është mirë për Kosovën që të jetë jashtë titujve kryesorë të shtypit ndërkombëtar, -thotë analisti Bugajski, - por nga ana tjetër ajo nuk duhet të bjerë në gjumë (si sleep mode e një kompjuteri), përkundrazi duhet të jetë më aktive. Është shumë e rëndësishme vendosja e misioneve të saj diplomatike në Uashington, Bruksel, Londër, etj. Kosova nuk duhet të jetë një objekt për veprimtaritë ndërkombëtare, por tani duhet të bëhet një subject; të vendosë përfaqësitë e saj në vende të ndryshme dhe të cojë më tej përparësitë e veta nëpër kryeqytete dhe institucione të ndryshme”.

Sipas zotit Bugajski, shumica e vendeve të Bashkimit Europian, me ndonjë përjashtim, vendet antare të G7, dhe shumica e vendeve antare të Këshillit të Sigurimit të OKB e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Më e mira do të ishte tani ngritja e një ekonomie produktive, përfshirja e saj në mekanizmat rajonale të biznesit dhe në nismat rajonale të Europës Juglindore, të vendosë marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të vazhdojë fushatën për njohjen e pavarësisë kudo nëpër botë” - thotë ai . Ka shumë mundësira të tjera për këto njohje, siç janë vendet muslimane, dhe për këtë, sipas tij, mund të ndihmojë edhe Shqipëria.

“Rusia - thotë zoti Bugajski - do të dëshironte që Kosova të ishte një shtet i ngrirë, sepse ajo nuk ka zhvillim ekonomik dhe nuk është ende antare e institucioneve ndërkombëtare, dhe në këtë gjendje mund të shihet si një dështim i NATO-s dhe BE-së, të cilat po përpiqen ta bëjnë Kosovën një cështje të suksesshme. Kështu, suksesi i Perëndimit me Kosovën do të jetë një dështim për Rusinë".

Por, sipas analistit Bugajski, nëse Serbia ecën drejt antarësimit në NATO dhe Kosova shihet praktikisht si e pavarur, Rusia nuk mund ta përdorë më Serbinë si një avantazh.

“Nëse Serbia kthen sytë nga Perëndimi, kjo është një humbje për Rusinë. Moskës i intereson që Serbia të mbetet jashtë integrimeve, sepse i nevojitet si një pikëmbështetje në rajon” - thotë ai.

Analisti Bugajski thotë se Kosova nuk është një precedent për Gjeorgjinë.

“Në fakt, Rusia vetë e ka sjellë një precedent në fillim të viteve 90, kur mbështeti lëvizjet separatiste në Oseti, Abkazi, Naxhari etj., shumë kohë përpara se zyrtarët në Uashington të mësonin se ku ishte Kosova dhe cfarë dontë ajo. Kështu, pra, Rusia e solli vetë precedentin, dhe pretendimet se Kosova ishte një precedent për Gjeorgjinë nuk qëndrojnë” - theksoi ai. //ii

XS
SM
MD
LG