Lidhje

Shqipëri: Kryetarja e re e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj


Kryetarja e re e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Shpresa Beçaj, u angazhua sot që të zbatojë me përpikmëri ligjet për të dhënë një drejtësi sa më cilësore për qytetarët. Pas prokurores së përgjithshme, kryetarja e gjykatës së lartë është drejtuesja e dytë femër që presidenti Bamir Topi ka dekretuar në krye të institucioneve shqiptare të drejtësisë.

Presidenti Bamir Topi mori pjesë në ceremoninë e gjykatës së lartë me rastin e ardhjes së kryetares së re. Ai theksoi se reformat në sistemin e drejtësisë duhet të jenë të vërteta dhe duhet të zhvishen nga fjalimet e tepërta me premtime boshe.

Zoti Topi tha se sistemi gjyqësor duhet të punojë më shumë për të rritur profesionalizmin dhe ndershmërinë e përfaqësuesve të drejtësisë. Ai premtoi se do të mbështesë cdo përpjekje që synon pastërtinë dhe përkushtimin e gjyqtarëve në detyrë.

Sistemi shqiptar i drejtësisë është i njohur për korrupsionin dhe paaftësinë e vet. Sipas të dhënave nga anketa të ndryshme me qytetarët, shumë gjyqtarë dhe aktorë të tjerë të këtij sistemi kërkojnë rryshfete të majme për të favorizuar padrejtësisht palët në gjyq.

Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur paradoksal faktin që gjatë gjithë viteve të tranzicionit, asnjë gjyqtar nuk është dënuar për korrupsion dhe as për shkelje të tjera të rënda. Nga ana tjetër, përfaqësues të drejtsisë i kanë quajtur ndërhyrje në punët e brendshme dhe shkelje të pavarësisë disa përpjekje dhe projekt-ligje të maxhorancës për të reformuar sistemin e drejtësisë. Polemikat mes qeverisë dhe gjyqtarëve kanë hyrë në një rreth vicioz, ku asnjëra palë nuk pëlqen idetë e tjetrës për reformimin e këtij sektori.

XS
SM
MD
LG