Lidhje

Zbignjev Berzhinski komenton për politikën e jashtme amerikane


Ish këshilltari i presidentit demokrat, Xhimi Karter, zoti Zbignjev Berzhinski, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga Iraku, sepse vetëm atëhere, thotë ai, do të mësohet nëse ndërhyrja dhe prania disa vjeçare e Shteteve të Bashkuara në atë vend ka qënë e sukseshme. Zoti Berzhinski, mbështetës i kandidatit demokrat për president, Barak Obama, thotë se një prej arsyeve për këtë mbështetje është se senatori i Ilinoit ka një plan të qartë për sa i përket përfundimit të luftës në Irak. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Berzhinski mbron idenë e negociatave serioze me Iranin si dhe shtrirjen e Bashkimit Evropian me anëtarësimin e Turqisë, Ukrainës e ndoshta edhe Gjeorgjisë.

I pyetur rreth qëndrimit që duhet të mbajë administrata e ardhshme amerikane rreth luftës kundër terrorit, zoti Berzhinski thekson fillimisht se fraza “lufta kundër terrorit” nuk ka kuptim. Lufta zhvillohet kundër armikut; terrori është një teknikë për vrasjen e njerzve dhe lufta nuk zhvillohet kundër teknikave për vrasjen e njerzve, thotë ai.

“Së dyti, ekziston një prirje, veçanërisht gjatë viteve të fundit, për ta konsideruar terrorin si një fenomen islamik. Mendoj se kjo është e gabuar sepse për shembull nuk mund të themi se ekziston terrorizëm katolik në Evropë, ndërkohë që ka terrorizëm në Irlandën e Veriut. Me pak fjalë, ne ofendojmë shumë njerëz dhe si pasojë mobilizojmë më shumë njerëz kundër vetvetes kur përdorim një gjuhë të paqartë dhe të përgjithshme”.

Zoti Berzhinski thotë se ka pasur një prirje për ta shkallëzuar luftën e terrorit në një luftë gati me përmasa të papara ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara dhe një gjë e tillë ka prirjen të ngjallë frikë në një demokraci. Dhe së fundi, thekson ai, lufta kundër terrorit u lidh me luftën në Irak, ndërkohë al-Kaida nuk ishte në Irak deri sa Shtetet e Bashkuara ndërhynë në atë vend ushtarakisht. Sipas zotit Berzhinski, përkufizimi i një problemi ka prirjen të përcaktojë fatin e një problemi, madje ai mendon se në terminologjinë e zgjedhur, Shtetet e Bashkuara janë treguar shumë të paqarta dhe demagogjike.

Zoti Berzhinski mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga Iraku, sepse, sipas tij, vetëm atëhere do të mësohet nëse ndërhyrja dhe prania disa vjeçare e Shteteve të Bashkuara në atë vend ka qënë e sukseshme, dhe nëse ka çuar në fitore, fjalë kjo e përdorur nga kandidati republikan për president, senatori Xhon Mekein.

Zoti Berzhinski shprehet hapur se mbështet kandidatin demokrat për president Barak Obama.

“Dhe një prej qëndrimeve që unë pajtohem me të është qëndrimi rreth luftës në Irak, përcaktimi i një afati për tërheqjen amerikane nga Iraku. Senatori Obama ka thënë se do të tërheqë trupat amerikane nga Iraku dhe do të ndërpresë pjesëmarrjen e tyre në operacionet luftarake brënda një periudhe 16 mujore pas fillimit të detyrës, nëse do të zgjidhej president”.

Zoti Berzhinski mendon se prania amerikane në Irak është pjesë e problemit dhe jo zgjidhje dhe se nuk do të ketë një Irak të qëndrueshëm deri sa forcat amerikane të tërhiqen, dhe vetëm atëhere kjo do të mësohet. Zoti Berzhinski është skeptik nëse kjo do të ndodhë, madje, sipas tij, prania amerikane nuk është e nevojshme dhe sa më parë që amerikanët të largohen aq më shpejt Iraku do të gjejë mënyrat për të krijuar një farë ekuilibri dhe qëndrueshmërie.

Zoti Berzhinski thotë se për herë të parë njerzimi jeton në një botë, që nuk mund të kontrollohet nga forca.

“Ne jetojmë për herë të parë në një botë të mbizotëruar nga një zgjim masiv politik i të gjithë njerzimit. Deri kohët e fundit, pjesa më e madhe e njerëzimit ishte politikisht pasive, sot, njerëzimit është politikisht aktiv, dhe ndër-aktiv, për arsye të televizionit, radios dhe së fundmi të internetit. Dhe si pasojë ne kemi të bëjmë me një shoqëri, që është vështirë të kontrollohet, edhe po të përdoret forca. Dhe kjo e bën edhe më të domosdoshme nxitjen e konsensusit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kufizimin e përdorimit të forcës vetëm në rrethana ekstreme”.

Zoti Berzhinski mbështet gjithashtu idenë e negociatave serioze me Iranin, të cilave, thotë ai, nuk u është dhënë mundësia reale për t’u provuar. Ai shpreson që presidenti i ardhshëm amerikan të angazhohet në negociata serioze, sepse negociatat serioze përbëjnë një politikë më të mirë se sa shtimi i armiqësive, kërcënimeve, të cilat në fund të fundit do të çonin në një përplasje, e cila, bashkë me luftën në Afganistan, Pakistan dhe Irak, do të ishte një katastrofë për rajonin e Lindjes së Mesme dhe për Shtetet e Bashkuara.

Zoti Berzhinski mbështet gjithashtu zgjerimin e Bashkimit Evropian me anëtarësimin e Turqisë, Ukrainës e ndoshta Gjeorgjisë. Kjo më duket mua se duhet të jetë objektivi afat-gjatë, megjithatë askush nuk duhet të ketë iluzione se zgjerimi i BE-së me këto vende nuk do të jetë i lehtë dhe, edhe nëse ndodh, do të marrë një kohë të gjatë. (ze)

XS
SM
MD
LG