Lidhje

Eliot Engel: Politika amerikane në Ballkan nuk do të ndryshojë


Kongresmeni demokrat Eliot Engel, i cili ka në distriktin e tij një komunitet të madh shqiptaro-amerikanësh tha në një konferencë telefonike dje me shtypin dhe pjestarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, se për sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht se cili nga dy kandidatët zgjidhet president, asgjë nuk do të ndryshojë. Vetë zoti Engel mbështet Senatorin Barak Obama dhe argumenton se kandidatura e tij është më e mirë lidhur me zgjidhjen e problemeve të brendëshme që kanë aktualisht Shtetet e Bashkuara. Isabela Çoçoli ndoqi konferencën dhe përgatiti materialin në vazhdim.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara kanë vënë këtë vit përballë njeri-tjetrit heorin amerikan, Senatorin veteran republikan Xhon Mekein nga Arizona, dhe Senatorin demokrat Barak Obama, jurist, profesor, organizues komuniteti, por në mandatin e tij të parë si Senator dhe me vetëm katër vjet përvojë në politikë.

Ndërsa përkrahësit e Senatorit Mekein, i vënë theksin pikërisht kësaj mungese përvoje të Senatorit Obama dhe marrëdhënieve të tij shoqërore me individë me veprimtari të dikutueshme, përkrahësit e kandidaturës së Senatorit demokrat për president, si kongresmeni nga Nju Jork Eliot Engel, thonë se është vizioni i tij për të ardhmen dhe qartësia me të cilët ai trajton dhe ofron zgjidhje për problemet e brendëshme të vendit, që e bëjnë atë kandidatin më të mirë.

Kongresmeni Engel, një nga përkrahësit më të fuqishëm të çështjes shqiptare, i cili ka në distriktin e tij një komunitet të madh shqiptaro-amerikanësh tha se për sa i përket Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht se cili nga dy kandidatët zgjidhet president, asgjë nuk do të ndryshojë.

"Politika dhe mbështetja për pavarësinë e Kosovës, për Shqipërinë, për shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi ka qënë dy-partiake. Ajo folloi në vitet e Klintonit dhe vazhdoi në një masë të madhe në vitet e Presidentit Bush. Si Senatori Mekein, që ka një histori të njohur në favor të kësaj politike, ashtu edhe Senatori Obama do t’i përmbahen asaj. Cilido prej tyre që do të zgjidhet president, do të vazhdojë të njejtën politikë dhe mbështetje për Kosovën, për Shqipërisë dhe për shqiptarët kudo në Ballkan, do të vazhdojë politikën për paqe dhe drejtësi në rajon, pikërisht siç kanë bërë Presidenti Klinton dhe Presidenti Bush”.

Kongresmeni Engel citoi në këtë kontekst dhe lexoi dy paragrafe nga një letër që Senatori Obama i dërgoi kohët e fundit Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku shpreh mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimësinë e politikës amerikane atje dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.

Në përgjigje të shqetësimeve të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe pyetjeve të gazetarëve për marrëdhëniet e Senatorit Obama me komunitetin serb të Çikagos, me Kongresin Serb, një organizatë lobiste serbe kjo në Amerikë, si dhe me zyrtarë amerikanë me origjinë serbe, zoti Engel tha se politika amerikane në rajon është e pakthyeshme dhe se Satori Obama është një njeri që nuk thyhet para presioneve.

“Mbështetja amerikane për Kosovën është e pakthyeshme. Shtetet e Bashkura kanë qënë hapur forca drejtuese e pavarësisë së Kosovës, forca mbrojtëse për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Senatori Obama në postin e presidentit do ta vazhdonte këtë politikë, por unë shpresoj që edhe Serbia, ndërkohë, do të ketë një u udhëheqje më të moderuar”.

Zoti Engel theksoi gjithashtu se kandidati demokrat për president, Senatori Xhozef Biden, është një nga përkrahësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës dhe do të ketë një influencë të madhe në politikën amerikane të administratës Obama.

Ai theksoi gjithashtu se administrata e ardhëshme amerikane, cilado qoftë ajo, demokrate apo republikane, do të vazhdojë jo vetëm mbështetjen për shtetin e Kosovës dhe integrimin e këtij shteti në ri në struktutar ndërkombëtare, por ajo do të vazhdojë mbështetjen për aspirtat e Shipërisë për t’u bërë sa më parë anëtare e NATOs dhe e Bashkimit Evropian. Kongresmeni demokrat Eliot Engel i Nju Jorkut theksoi bindjen e tij se meqë kandidatura e Senatorit Obama është më e mirë për zgjidhjen e problemeve të brendëshme në Shtetet e Bashkuara, të cilat prekin edhe komunitetin shqiptaro-amerikan , ajo është më e mirë edhe për këtë komunitet. //iç//

XS
SM
MD
LG