Lidhje

Ekonomia dhe vendet e punës, çështje kryesore për votuesit në Ohajo


Ekonomia e lëkundur amerikane dhe humbjet e vendeve të punës në fabrika në shtetin e Ohajos po dominojnë garën e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet, dhe kjo mund të krijojë probleme për kandidatin republikan Xhon Mekejn. Zotit Mekejn i duhet ta fitojë votën e Ohajos nëse dëshiron të ketë shpresa për t’u bërë president. Analistët po e vëzhgojnë me kujdes këtë shtet, i cili zakonisht ka zgjedhur fituesin në 11 zgjedhjet e fundit presidenciale. Ekspertët thonë se çështjet sociale kanë ndihmuar që ky shtet të kalojë në anën e republikanëve gjatë dy zgjedhjeve të fundit. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Xhim Frai, çështjet ekonomike janë në qendër të vëmendjes së banorëve të Ohajos këtë vit, dhe kjo mund ta ndihmojë kandidatin demokrat Barak Obama.

Ron Dejvis e filloi karrierën e tij si punëtor në një uzinë çeliku në Ohajo para 29 vjetësh. Zoti Dejvis, i cili është president i degës lokale të Sindikatës së Punëtorëve të Bashkuar të Çelikut, sapo mësoi se 350 veta që punojnë në ndërtesën që i ka mbetur uzinës së tij do të pushohen nga puna.

“Unë kam njerëz të familjes dhe miq që punojnë aty, njerëz që i kam njohur prej vitesh. Dhe shqetësohem për të ardhmen e tyre.”

Ky shqetësim është kthyer në veprime në sallën lokale të sindikatës ku anëtarët e saj, të cilët zakonisht përkrahin republikanët kësaj radhe po bëjnë fushatë për kandidatët demokratë. Ron Dejvis thotë se këtë vit gjërat kanë ndryshuar.

“Këtë vit peshorja anon në anën tjetër. Dhe mendoj se shumë republikanë të votojnë për zotin Obama këtë vit.”

Zgjedhjet presidenciale luftohen me rreptësi zakonisht në Ohajo, dhe anketat tregojnë se gara mes republikanit Xhon Mekejn dhe demokratit Barak Obama është e ngushtë. Pjesa qendrore rurale e Ohajos shpesh voton për republikanët. Ndërsa shumica e qyteteve të mëdha si Kliveland në verilindje dhe Kolumbus kanë përkrahur kohët e fundit demokratët. Po ashtu edhe qytetet industriale si Jangstaun në verilindje. Gjatë vizitës së fushatës së tij, senatori Obama u përqendrua tek kriza ekonomike për të cilën ai thotë se është më e rënda që nga Depresioni i Madh i viteve 1930.

“Unë nuk kam nevojë t’ju tregoj juve në Ohajo, sepse 760 mijë punëtorë kanë humbur vendet e tyre të punës deri tani këtë vit.”

Senatori Mekejn është përpjekur t’i kundërpërgjigjet këtij mesazhi duke i paralajmëruar votuesit e Ohajos se senatori Obama do t’ua rriste taksat.

“Ai beson në rishpërndarjen e pasurisë dhe jo tek politikat që zhvillojnë ekonominë tonë dhe krijojnë vende pune dhe mundësi për të gjithë amerikanët.”

Rreth qytetit të Jangstaun, shumë vende pune nëpër fabrika janë humbur. Një uzinë alumini në rrethinat e qytetit u mbyll vitin e kaluar. Dhe megjithëse demokratët duken në pozita të mira këtu, ish udhëheqësi i sindikatave Majk Rubic thotë se shumë votues ndjehen të pavendosur.

“Nga njëra anë ekziston shqetësimi për sa i përket eksperiencës së zotit Obama dhe faktit se ai është afrikano-amerikan. Dhe nga ana tjetër ata nuk shohin që zoti Mekejn të ketë ndonjë program për t’i ndihmuar ata.”

Megjithëse demokratët duket se po e përdorin krizën ekonomike në avantazhin e tyre, republikanët e Jangstaunit si vullnetarja e zotit Mekejn Trejsi Uinbush thonë se po bëjnë përparim. Anketat e opinionit publik tregojnë se gara mes zotit Mekejn dhe zotit Obama është ende tepër e ngushtë për të nxjerrë përfundime, dhe transformimet problematike të ekonomisë në Ohajo do të luajnë rol kyç në këto zgjedhje. Të dy kandidatët shpresojnë të fitojnë në Ohajo për të marrë përparësinë e nevojshme në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. //bsa//

XS
SM
MD
LG