Lidhje

SHBA: Zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe 1/3 e Senatit


Më 4 nëntor, amerikanët, përveç zgjedhjes së presidentit, do të hedhin votën edhe për anëtarët e Kongresit. Ndërkohë që kandidati demokrat, Barak Obama kryeson në anketa, demokratët në kongres shpresojnë të përfitojnë nga entuziazmi i votuesve për zotin Obama për të fuqizuar shumicën, që ata kanë tashmë në të dy dhomat e Kongresit.

Shumica nuk do të jetë problem për demokratët, çështja është se sa e madhe do të jetë kjo shumicë. Dhe, natyrisht, nëse zoti Obama zgjidhet, një kontroll më i madh në Kongres do t’i ndihmonte demokratët si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat për miratimin e shpejtë të ligjeve që do të propozonte presidenti i ri.

Të martën e ardhëshme votohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve si dhe për një të tretën e vendeve të senatit.

Shpresat janë të mëdha, veçanërisht në Senat. Demokratët shpresojnë të fitojnë më shumë vende, për të siguruar shumicën me 60 vende. Në këtë mënyrë ata do të ishin në gjendje të parandalonin çdo përpjekje të republikanëve për të bllokuar miratimin e ligjeve.

Por Profesori Allën Lihtman në Universitetin Amerikan, thotë se demokratët mund të fitojnë më pak se 9 vende, që të arrijnë 60 vendet, e prapëseprapë të arrijnë synimin e tyre.

“Mendoj se fitorja e 60 vendeve është diçka e ekzagjeruar, por them se demokratët do të fitojnë 57 ose 58 vende dhe megjithëse nuk sigurojnë dot shumicën, ka republikanë të mederuar në Senat, si për shembull Senatorja Susan Kollins nga shteti Mein dhe Senatori Arlen Spekter nga Pensilvania, të cilët nuk mendoj se do të votojnë gjithë në baza partiake”.

Demokratët pritet gjithashtu të fitojnë më shumë vende në Dhomën e Përfaqësuesve, ku aktualisht ata kanë një shumicën.

Në se demokrati Barak Obama bëhet president i ardhshëm, një shumicë më e madhe e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat mund të jetë e rëndësishme për miratimin e shpejtë të ligjeve të tij, si tërheqja e forcave luftarake nga Iraku dhe zbatimi i reformës për kujdesin shëndetsor.

“Për një farë kohe, demokratët nuk kanë qënë në pushtet. Ata nuk kanë kontrolluar presidencën dhe kongresin që prej fillimit të viteve 90-të, nën presidentin Klinton. Demokratët do të jenë të etur për të arritur qëllimet e tyre”.

Por një kongres i mbizotëruar nga demokratët nuk do të ishte medoemos në marrëveshje të plotë me një president demokrat, thotë Stevën Hes pranë Institutit Brukings.

“Asnjëra parti nuk është monolite. Të dyja partitë kanë interesa rajonale të ndryshme, si dhe krahun konservator dhe liberal të tyre”.

Allën Lihtman thotë se në se republikani Mekein bëhet president, ai mund të mos ketë njëjtat probleme që pati presidenti Bush me kongresin.

“Nuk është e qartë nëse zoti Mekein do të bashkëpunonte mirë me një kongres demokrat. Nga njëra anë, ai dihet se ka punuar me demokratët. Për shembull me Senatorin Rusell Feingold për reformimin e finanacimit të fushatave; me Senatorin Ted Kenedi për reformimin e emigracionit. Por fushata e tij në këto zgjedhje ka qenë vazhdimisht me tone negative.”

Kandidati që humbet në garën e tanishme presidenciale do të kthehet në vendin që ka në kongres si senator, por natyrisht me një identitet të ri, më të njohur se sa para fushatës presidenciale. (ze)

XS
SM
MD
LG