Lidhje

Florida merr masa për të shmangur probleme ditën e zgjedhjeve


Zyrtarët e Floridës shpresojnë që në zgjedhjet presidenciale të këtij viti nuk do të përsëriten problemet e zgjedhjeve të 2000.

Reformat e kohëve të fundit kanë patur si synim korigjimin e problemeve dhe krijimin e mundësive që banorët të votojnë edhe para datës së zgjedhjeve.

Republikanët po i inkurajojnë zgjedhësit të votojnë me postë, ndërsa shumë demokratë po votojnë më parë për të shmangur vonesat.

Radhët e gjata të votuesve mund të jenë një lajm i mirë për demokratët në Florida.

Partia Demokrate u ka bërë thirrje përkrahësve të saj të votojnë para 4 nëntorit me qëllim që votat të numërohen deri në mbrëmje dhe rezultatet të mos vonohen.

Republikanët e kanë përqendruar vemendjen në votat e dërguara me postë nga ata zgjedhës që nuk mund të jenë pranë qendrës së tyre të votimit ditën e zgjedhjeve. Përkrahësit e Partisë Demokrate thonë se votimet para ditës së zgjedhjeve krijojnë kohë për korigjimin e problemeve lidhur me regjistrimin e votimeve ose për të shmangur vonesat ditën e zgjedhjeve.

Demokratët e Floridës thonë e kanë arsye për t’u shqetësuar. Shumë prej tyre kujtojnë zgjedhjet e diskutueshme të 2000, në të cilat Presidenti Bush fitoi me vetëm 500 vota më shumë.Fletët e paqarta të votimit në distriktin Palm Biç dhe probleme të tjera më fletët e votimit, bënë që Al Gore të humbiste zgjedhjet.

Shan Forman, profesor i shkencave politike në Universitetin Beri të Majemit thotë.

“Ajo që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2000, për disa njerëz është diçka që i përket tashmë të kaluarës. Të tjerë kanë bindjen e thellë se votat u grabitën, zgjedhjet ishin të parregullta, fitorja u vodh. Nuk duhet në asnjë mënyrë që kjo të përsëritet”.

Që prej atëhere, Florida ka ndjekur praktikën e votimeve para ditës së caktuar dhe ka miratuar reforma për të shmangur përsëritjen e problemeve të 2000.

Por një prej ligjeve të reja ka ngjallur shqetësime.Votuesit e Floridës duhet të paraqesin kartën e identifikimit për të vërtetuar të dhënat në formularin e regjistrimit.

Mbështetësit e këtij ligji thonë se ai shërben për të shmangur rregjistrimin e personave që nuk kanë të drejtë vote.Kritikët thonë se ligji mund të shërbejë për të përjashtuar edhe zgjedhës me të drejtë vote, duke dhënë si shembull rastin kur votuesi ka ndryshuar adresë.

Problemet në regjistrimin e votuesve e kanë kryesisht burimin tek gabimet e nëpunësve, thotë Kevin Uagner, profesor i shkencave politike në Universitetin Atlantik të Floridës.

“Ka ndryshim mes gabimeve në regjistrime dhe fallsifikimit të votave. Nuk ka asnjë të dhënë, të paktën unë unë kam parë kurrë, që të bëhen përpjekje serioze për të shmangur fallsifikimet”.

Avokatët e partive Demokrate dhe Republikane do të stacionohen në gjithë shtetin ditën e zgjedhjeve për të shmangur problemet.

Shan Forman thotë se shtimi i vigjilencës në Florida mund të ketë rezultate nga nga më të ndryshmet.

“Është gjë e mirë që ekipet ligjore janë në gadishmëri për të ndjekur problemet e mundëshme.

Por shpresoj që ata të mos gjejnë probleme atje ku ato në fakt nuk ekzistojnë”.

Profesor Forman thotë se problemet ligjore janë një faktor me shumë rëndësi kur garat janë shumë të forta si në 2000.

Sondazhet tregojnë se rezultatet e zgjedhejve në Florida këtë vit, nuk mund të parashikohen para ditës së zgjedhjeve. (ze)

XS
SM
MD
LG