Lidhje

Fitorja e Barak Obamës reflekton një fushatë të disiplinuar me mesazh të qartë


Fitorja e presidentit të zgjedhur amerikan, Barak Obama, dëshmon pa asnjë dyshim se fushata e tij tërhoqi një pjesë të konsiderueshme të Amerikës. Me votat e kolegjit elektoral, zoti Obama fitoi mbi dy herë më shumë se sa rivali i tij republikan, Senatori Xhon Mekein. Ekspertët politikë vënë në dukje disa faktorë që e bënë fitoren e Obamës të mundëshme dhe të madhe, si dhe shkaqet sepse Mekein nuk mundi të dilte në krye.

Fitorja e Barak Obamës u ka dhënë demokratëve kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për herë të parë që nga viti 1992.

Vëzhguesit politikë thonë se fushata e Obamës kombinoi aftësinë e padiskutueshme për të përfituar nga rrethanat me një organizim dhe disiplinë shembullore.

Nejthën Gonzales kryeredaktor i fletores “Rothenberg Political Report” thotë se Amerika ishte gati për të përqafuar mesazhin për “ndryshime” të Obamës.

"Pas 8 vjet administrimi nga Xhorxh Bushi, elektorati amerikan ishte mjaft i predispozuar për ndryshime. Njerëzit ishin të pakënaqur me drejtimin e vendit dhe ishin të gatshëm dhe në pritje për diçka të re”.

Profesori i shkencave politike të Universitetit Georgetown, Mark Rom, thotë se pati edhe faktorë të tjerë që i dhanë fitoren Senatorit Obama.

"Ata patën një mesazh të qartë dhe të pandryshuar që ishte bindës për publikun amerikan se Obama ishte në anën e tyre, do të punonte për interesat e tyre dhe do të bënte shumë gjëra në interes të shtresës së mesme. Së dyti, demokratët bënë një fushatë të shkëlqyer në terren, me regjistrimin e miliona votuesve të rinj në të gjithë vendin”.

Xhejms Thërber, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington, e cili e njeh mirë presidentin e zgjedhur, Barak Obama, thotë se ai është një njeri që dëgjon me vëmendje dhe një njëri i disiplinuar në punë dhe në mendim.

“Ai është shumë i zgjuar, dëgjon, e njeh temën kur flet me të. Ai përqendrohet në punë. Nuk është njeri pa humor, por është i angazhuar dhe i disiplinuar për pyetjet që bën dhe po aq i disiplinuar në mënyrën si i percepton çështjet. Ai i dëgjon njerëzit, bashkëpunon me ta dhe nuk ka frikë të dëgjojë mendime të kundërta me qendrimet e tij”.

Analistët thonë se fushata e Senatorit Obama shfrytëzoi me efikasitet teknologjinë moderne, si telefonin celular dhe imeijlin, për të kontaktuar votuesit dhe për t’i bindur ata të merrnin pjesë në votime.

Keqësimi i gjendjes ekonomike dhe rënia e vlerës së aksioneve e trembën shtresën e mesme të votuesve amerikanë për humbjen e kursimeve të tyre. Aleks Bërns i Politico-dot-com, thotë se zoti Obama përfitoi nga tronditja e tregjeve financiare.

"Për mendimin tim, kriza financiare e Uoll Stritit shënoi kthesën vendimtare të lojës në këto zgjedhje. Ajo kristalizoi në mendjen e shumë njerëzve idenë se sa keq kishin shkuar gjërat. Dhe për një kandidat si Barak Obama, ajo ishte një situatë e famorshme, pasi ai po bënte fushatë me mesazhin për ‘ndryshime’”.

Por edhe mangësitë e fushatës së Senatorit Xhon Mekein e ndihmuan Senatorin Obama, thotë Mark Rom, profesor i universitetit Georgetown.

"Ai bëri gabime të njëpasnjëshme. Fushata e tij u duk e paorganizuar. Ajo nuk arriti të transmetonte një mesazh të qartë dhe të saktë që të tërhiqte publikun”.

Analistët politikë thonë gjithashtu se Senatori Mekein nuk mundi ta distanconte veten nga presidenti jopopullor republikan Xhorxh Bush. Vendimi që mori Sentatori Obama, për të zgjedhur Senatorin Xho Bajden për postin e zëvendës-presidentit tërhoqi në anën e tij shtresën punëtore demokrate dhe votuesit e pavarur në shtete të tilla të rëndësishme si Ohajo, Pensilvania dhe Florida.

Por zgjedhja e Guvernatores së Alaskës Sara Pejlin, si kandidate për presidente nga Senatori Mekein nuk arriti që të tërhiqte votues jashtë grupeve tradicionale konservatore.

Vëzhguesit thonë se fushata e zotit Obama i përngjau koalicionit tradicional të Partisë Demokratike, duke pëfshirë qytetet e mëdha, shtresën punëtore, pakicat, gratë dhe të rinjtë. Të gjithë presin të shikojnë nëse zoti Obama do të sjellë të njejtën disiplinë dhe fokusim në presidencën e tij. //iç//

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG