Lidhje

Obama: Ekonomia, përparësia kryesore e administratës së ardhshme


Presidenti i ardhshëm Barak Obama po vepron me shpejtësi për të emëruar poste me rëndësi në administratën e tij dhe për të hartuar përgjigjen e administratës së tij ndaj krizës ekonomike. Analistët politikë thonë se tranzicioni politik kësaj here ka një rëndësi të veçantë për arsye të krizës ekonomike në vend si dhe luftrave në Irak dhe Afganistan.

Pas takimit të djeshëm me Bordin e sapokrijuar Këshillues të Tranzionit Ekonomik, zoti Obama tha qartë se ekonomia do të jetë prioriteti kryesor i administratës së tij. "Menjëherë pasi të bëhem president unë do të merrem me krizën ekonomike dhe do të marr të gjitha hapat e duhur për të lehtësuar krizën me dhënien e kredive, për të ndihmuar familjet punëtore dhe për të sjellë përsëri rritje ekonomike dhe prosperitet në vend."

Por, zoti Obama po kështu theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president dhe administrata e presidentit Bush do të drejtojë vendin deri në 20 janar 2009, ditë kjo kur zoti Obama do të bëjë betimin si president i Shteteve të Bashkuara. Presidenti i ardhshëm Obama la të kuptohet se ai ka ndërmend të veprojë me shpejtësi gjatë periudhës se tranzicionit. Për këtë arsye vetëm pak ditë pas zgjedhjeve ai emëroi kongresistin amerikan Rahm Emanuel si Shefin e tij të Kabinetit.

Zoti Leon Paneta, i cili ka mbajtur postin e Shefit të Kabinetit në administratën e presidentit Klinton thotë se emërimet e ardhshme të zotit Obama duhet të përqendrohen tek ekonomia. "Shpresojmë që emërimi i ekipit ekonomik do të jetë hapi i ardhshëm i zotit Obama pasi kjo ka shumë rëndësi. Kjo ështe një situatë pa preçedent, ku presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të përballet jo vetëm me ekonominë në krizë por edhe me planin prej 700 milardë dollarësh për të nxjerrë financat nga kriza. Kjo e detyron presidentin të merret si me bankat edhe me sistemin e kredisë në të njëjtën kohë."

Zoti Paneta thotë se pasi të zgjedhë ekipin ekonomik, zoti Obama duhet të merret me emërimet për postet që lidhen me sigurinë kombëtare duke marrë parasysh luftrat në Irak dhe Afganistan. Ish zyrtari Paneta po kështu thekson se është shumë e rëndësishme që presidenti i ardhshëm të përmirësojë marëdhëniet me botën.

Drejtori i Studimeve për Çështje Qeveritare në Institution Brukings Derëll Uest thotë se nga zoti Obama pritet jashtzakonisht shumë dhe ai duhet të premtojë më pak sa i përket objektivave të tij në ditët e para apo javët e para në Shtëpinë e Bardhë. Sipas zotit Uest, presidenti i ardhshëm Obama duhet të shpjegojë qartë sesa e vështirë do të jetë që të zgjidhet kriza ekonomike. "Problemi është se shumë njerëz në Amerikë dhe nëpër botë presin mrekulli nga ana e zotit Obama. Ai ka aftësi të jashtzakonshme drejtuese por duhet thënë që ai po merr postin presidencial në një moment shumë të vështirë ekonomik."

Të hënën zoti Obama do të takohet me presidentin Bush për të diskutuar transferimin e pushtetit. Në të kaluarën asnjë president i zgjedhur nuk ka vizituar Shtëpinë e Bardhë kaq shpejt pas zgjedhjeve. Kjo tregon shpejtësinë me të cilën po zhvillohet tranzicioni politik nga një president tek tjetri në një moment kur Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë luftra në Irak dhe Afganistan dhe po përjetojnë një krizë financiare. //ad//

XS
SM
MD
LG